Duka: Asgjë nuk është mbyllur, kemi dhe gjysmë rruge përpara

11 qershor 2025 | 11:31

Pas barazimit zhgënjyes ndaj Letonisë, ka reaguar edhe presidenti i FShF-së, Armand Duka. Kreu i futbollit shqiptar duket se ka shtyrë për në shtator veprimet ndaj stafit kuqezi, i kryqëzuar tashmë nga i gjithë mjedisi kuqezi, teksa pret reagim prej tij, bashkë me lojtarët: “Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do donim të shihnim, apo rezultati që do duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari i shfrytëzoi gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, teksa duhet t’i merrnim të tria. Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjetër e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera. Kuptoj dhe mirëkuptoj sensitivitetin e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij. Nuk arritëm të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe gjysmë rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnjë nga rivalët tanë”.

“Natyrisht, ne na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendojë. Dhe për të arritur këtu stafi teknik duhet t’i nënshtrohet një analize bazike, siç edhe përherë bën, por që këtë radhë kam bindjen se do të prodhojë reagim të menjëhershëm. Luajtëm 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve, sikundër edhe ata njohin mirë peshën e rrezikun tonë. Do t’i luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona! A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli. A kemi gabime në lojë, që kërkojnë të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do ta vazhdojmë fort dhe me besim garën ende të hapur. Sepse, ne jemi Shqipëria. Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi. Rikthehemi në shtator!”, ka deklaruar Duka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Mos na ndalni prodhimin”, “Liberalizimi i shpejtë i rrymës -…