
Duka me mesazh të veçantë për ceremoninë e nderimit të presidentit të FIFA-s në Prishtinë
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka ndarë një mesazh të veçantë në rrjetet sociale pas ceremonisë së organizuar në Prishtinë në nder të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Në postimin e tij në “Instagram”, Duka ka vlerësuar lartë mikpritjen dhe organizimin e ngjarjes, duke theksuar se Infantino është një mik i vërtetë i Kosovës dhe i futbollit në rajon.
“Në Prishtinë për të nderuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, një mik i vërtet i Kosovës dhe futbollit tonë. Një ceremoni domethënëse, nën kujdesin e presidentes Vjosa Osmani dhe mikut tim, president Agim Ademi, që tregoi sa dinjitet dhe peshë ka fituar futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Unë dhe Federata Shqiptare e Futbollit do të jemi gjithmonë pranë Kosovës në këtë rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Duka.
Ceremonia është mbajtur nën kujdesin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në nder të kontributit të presidentit të FIFA-s për zhvillimin e futbollit kosovar.