
Dukagjini, ende pa rënë, mendon për rikthimin në Superligë
KF Dukagjini, ende pa përfunduar ky kampionat në Superligë, ka filluar të mendojë se si të rikthehet pas një viti sërish në këtë rang elitar.
Skuadrës së Dukagjinit nga Klina i kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje për të zhvilluar në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pasi ky klub në edicionin e ri do të bëjë gara në Ligën e Parë. “Aventura” në rangun më të lartë të garave duket si i ka pëlqyer shumë këtij klubi që ka filluar të mendojë për rikthimin në elitë pas një viti.
Drejtori i Dukagjinit, Fabian Veseli, ka thënë se nuk janë të kënaqur me përformacën e treguar në Superligë, ani pse klubi nga Klina qëllim kryesor e kishte rikthimin në këtë rang të garave. Ai në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se Dukagjini do të paraditet në mënyrën më të mirë që të jetë pjesë e Ligës së Parë vetëm për një edicion. “Nuk jemi të kënaqur me rezultatet e arritura në Superligë, por rëndësi kishte që në të inkuadrohemi në këtë rang garash për faktin se ishin ishte bërë një kohë e gjatë që nuk ia kishim arritur këtij qëllimi. Renditja në fund të tabelës tregon qartë se Superliga kërkon shumë më shumë se Liga e Parë. Tash kemi një përvojë në Superligë dhe do të punojmë me përkushtim që pas një viti të rikthehemi sërish”, ka thënë Veseli.
Në skuadrën e Dukagjinit luajnë futbollistë me emër si Milicaj, Merlaku, Elezaj, Muhaxheri, Dushi, Demiri e shumë të tjerë. Drejtori Veseli ka konfirmuar se shumica nga këta lojtarë do të luajnë për Dukagjinin edhe në Ligën e Parë.
“Duke parë se kemi synime të mëdha në Ligën e Parë, atëherë mund të them se nëntëdhjetë për qind e këtyre futbollistëve nuk do të largohen”, ka deklaruar ai.
Dukagjini në 27 ndeshjet e zhvilluar ka mbledhur vetëm dhjetë pikë, kurse ka regjistruar vetëm dy fitore dhe katër barazime, kurse në 21 ndeshjet e tjera ka pësuar humbje. Trepça ’89 dhe Vushtrria janë dy skuadrat e vetme që kanë pësuar humbje nga Dukagjini.
(Veton ZYMBERI)