“Duke pritur barbarët” flet sërish shqip

29 maj 2019 | 14:47

“Duke pritur barbarët” është një prej poezive të Konstandinos Kavafisit, në këtë rast është një përzgjedhje e poezive të tij më të mira përkthyer nga origjinali në gjuhën shqipe nga përkthyesi Iliaz Bobaj dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”.

Ky libër ka një parathënie shkruar nga shkrimtari Sulejman Mato, i cili që në paragrafin e parë jep këtë shënim: “ Ju që e keni blerë këtë libër të mrekullueshëm, në çastin që do ta hapni faqen e parë sigurisht do të habiteni në qoftë se jeni mësuar të mrekulloheni nga figurat dhe imazhet poetike vezullonjës. Figura të ndritshme dhe imazhe vezulluese në këtë libër nuk do të gjeni. Nuk do të gjeni as emfazë, as ditirambe, as rima të alternuara e të puthitura. Përgatituni të lexoni një poet të vërtetë grek, i cili, me modelimin e temave që trajton, të duket sikur rilind poezinë e lashtë greke. Rilind rrëfimin e qetë dhe filozofik grek. Rilind heronj dhe kohë të Greqisë së lashtë. Rilind në mënyrë poetike filozofët e lashtë, Sokratin dhe Platonin”.

Sipas Matos, “Kavafisi nuk e njeh shkreptimën dhe bubullimën e fjalëve. Kavafisi është esencë e mendimit poetik-filozofik. E veçanta dhe magjia e rrëfimit të tij qëndron te pikëvështrimi. Ai ka gjetur një pikëvështrim të jashtëm ku sheh çdo gjë, por atë nuk e sheh asnjeri. Autori e përdor rrëfimin dhe ritmin si një stërnip homerik. Kavafisi shkruan shkurt dhe qartë. Ai është substancial. E nis poezinë aty ku duhet, jep aq sa duhet dhe e mbyll poezinë atje ku duhet”.

POEZI NGA LIBRI “DUKE PRITUR BARBARËT”

NJË PLAK

Në kafenenë e zhurmshme, tej në thellësi,
përkulur mbi tryezë, një plak i vjetër rri,
me një gazetë para, i vetëm fillikat.

Përbuzjen i ndien të mjerës pleqëri,
mendon: sa pak gëzoi në rini,
kur kish forcë, fjalë, bukuri pa cak.

E di, u plak shumë, e shikon, e ndien,
kohë e rinisë i duket e afërt si dje,
sa kohë e shkurtër, shkurtaqe kohë.

Mendon si e mashtronte dinakja Urtësi
dhe gjithnjë e besonte: – Eh, ç’marrëzi!
Gënjeshtarja i thoshte: – Nesër ke shumë kohë.

Vrullet e hershme, mendimit i zënë vend,
sa gëzim flijoi, sa njohje të pamend,
çdo rast të humbur tani e tall, përqesh.

Nga mendimet e gjata, kujtimet e pafundme,
plaku u trallis, u lëshua në gjumë,
aty në kafene, mbështetur mbi tryezë.

1897

NË SHTËPINË E SHPIRTIT

Në shtëpinë e Shpirtit vërtiten pasionet,
gratë e bukura veshur me mëndafsh
dhe gurë zafiri deri në majë të flokëve.
Që nga porta e shtëpisë gjer tej në thellësi
i përdorin të gjitha sallat. Në më të madhen,
mbrëmjeve, gjakndezur zjarr e valë,
flokëlëshuar, kërcejnë dhe pinë me afsh.

Jashtë sallave të zbehta, të veshura
me modën e një kohe në harrim,
enden virtytet dhe me dhimbje dëgjojnë
festën që bëjnë njerëzit e dehur.
Në xhamat e dritareve afrojnë fytyrat
dhe shohin të heshtur, të menduar,
xhevahiret, dritat, vallen në harbim.

DITË TË VITIT 1901

Megjithatë kishte një veçanti,
që mes gjithë kësaj dobësie të tij
dhe përvojës së madhe të dashurisë
me gjithë qëndrimin e zakonshëm
dhe harmoninë e moshës,
ndodhnin çaste – sigurisht përveç
rrallësive – që me mbresë
jepte trupin e tij pothuajse të paprekur.

Në moshën njëzetenëntëvjeçare, bukuria,
e provuar aq shumë nga kënaqësia,
ishin çaste që dukeshin paradoksale,
që një djalosh – në njëfarë mënyre i ngathët në dashuri,
për herë të parë jep trupin e tij të pastër.

1927

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti EPIK ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit…