
Dukolli: Kuvendi urgjentisht duhet ta shkarkojë Dimal Bashën
Ish-luftëtari i UÇK-së dhe anëtari i kryesisë së NISMA-s, Çerkin Dukolli, ka reaguar pas publikimit të një shkrimi të bashkautorisuar nga Dimal Basha, ku sipas tij ka pasur fyerje dhe shpifje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dukolli theksoi se “askush, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë, e as që do të tolerohet, të shpifë e të fyejë për luftën e UÇK-së, e cila përfaqëson dinjitetin, lirinë dhe shtetin e Kosovës”. Ai u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta shkarkojnë Bashën nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, në të cilën u zgjodh më 26 gusht nga kjo legjislaturë.
Reagimi i plotë i tij:
“Kuvendi urgjentisht duhet ta shkarkojë Dimal Bashën. Politikisht duhet të mbahen përgjegjës edhe ata që e propozuan dhe ata që e votuan, të cilët gjithashtu duhet t’u kërkojnë falje publike qytetarëve.
Nënçmimi dhe poshtërimi i qytetarëve të vendit, përmes demokracisë përfaqësuese, ndodhi duke vendosur Dimal Bashën kryetar Kuvendi.
Njeriu që në vitin 2012, në një shkrim si bashkautor, fyente dhe shpifte për UÇK-në, ndërsa luftën tonë për liri e quante kriminale dhe të financuar nga paratë e krimit.
Shkarkimi i Dimal Bashës si veprim politik duhet të pasohet edhe me mundësinë e ndjekjes penale nga organet kompetente.
Askush, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë, e as që do të tolerohet, të shpifë e të fyejë për luftën e UÇK-së, e cila përfaqëson dinjitetin, lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Rroftë UÇK!
Rroftë Republika e Kosovës!”