Duncan vazhdon dëshminë në Hagë, prokurori e pyet pse kishte të njëjtat rroba në dy takime në qershor ’99

23 shtator 2025 | 11:00

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është duke vazhduar dëshminë në ditën e tij të dytë, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Thaçit, ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Stewart Duncan.

Duncan është duke u marrë në pyetje nga prokurori Matt Halling. Halling është fokusuar tek pyetjet se deri në çfarë mase ishin përfshirë komandantët e zonave në negociatat e 17 qershorit 1999 për nënshkrimin e marrëveshjes së demilitarizimit.

Dëshmitari tha se nuk e bën dot komentimin e emrave të komandantëve që mund të kenë qenë të pranishëm në këtë takim, duke e ripërsëritur që nuk është i mirë me emrat.

Gjatë pyetjeve të prokurorit, Duncan u pyet për takimin e 17 dhe 19 qershorit 1999 me UÇK-në, dhe përse i kishte të njëjtat rroba veshur.

“Nëse bëhet fjalë për datën 19 qershor ti je duke veshur të njëjtat rroba që kishe më 17 qershor. Mund të na shpjegoni se përse janë të njëjta?”, pyeti prokurori Halling.

Dëshmitari u përgjigj duke thënë se “këto rroba kam veshur për negociata, nuk isha në shtëpi”.

Halling pyeti sërish nëse në të tre filmime të gjithë personat ishin veshur me rroba të njëjta a ishin këto sinjale optike?

“Nuk ishim në hotel me katër yje, ishim në një zonë lufte ka njerëz që kanë veshur rroba gjatë gjithë kohës. Nuk shoh pse ka problem këtu që të vishen të njëjtat rroba për ditë më radhë. Megjithatë ka pas mundësi për t’I larë rrobat në mes këtyre dy ditëve…”, u përgjigj Duncan.

Duke iu referuar një videoje të një takimi që ishte mbajtur mes komandantëve të zonave dhe persona të tjerë nga UÇK-ja ku zhvilloheshin negociatat për Marrëveshjen e Demilitarizimit, tha se Kadri Veselin ishte një person me funksion të lart në zbulim.

“Me sa më kujtohet mua, është një person me funksion të lartë dhe në funksionin policor dhe të zbulimit”, tha Duncan.

Duncan shtoi se nuk e thotë dot se si e di këtë gjë për Kadri Veselin./Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona teksa ishin në lëvizje me kamion kanë gjuajtur…