Durmishi: Për këtë narrativë ndaj UÇK-së e kam larguar Shkelzen Gashin nga zyrat e VV-së në vitin 2005

28 mars 2026 | 11:37

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hysen Durmishi ka reaguar ndaj Shkelzen Gashit, lidhur me ekspozitën publike të vendosur në sheshin “Nena Tereza” në Prishtinë.

Durmishi, i cili është edhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish i burgosur politik, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj përmbajtjes së ekspozitës, duke e cilësuar atë si problematike në raport me mënyrën se si paraqitet historia e luftës së UÇK-së dhe pasaktësia e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në reagimin e tij, ai ka rikujtuar edhe një përplasje të mëhershme me Gashin, duke theksuar se dallimet në qëndrime mbi këtë temë kanë qenë të hershme.

“Për shkak të kësaj narrative të Shkëlzen Gashit, në vitin 2005, pas një përplasjeje të ashpër, personalisht e kam larguar nga zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, ka deklaruar Durmishi.

Sipas tij, mënyra se si trajtohet lufta e UÇK-së në këtë rast nuk është e pranueshme dhe kërkon një qasje më të kujdesshme dhe më të ndjeshme ndaj historisë dhe sakrificës së të rënëve. Durmishi gjithashtu ka ngritur shqetësimin për mbështetjen institucionale ndaj projekteve të tilla, duke theksuar se institucionet duhet të tregojnë kujdes në përkrahjen e aktiviteteve që prekin tema të ndjeshme historike.

“Është e papranueshme që ekspozita dhe vepra të tilla të marrin leje dhe të financohen nga institucionet tona”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi…