
Dushku, Medunjanin dhe Kqiku pjesëmarrëse në Forumin Final të Projektit PROMISE në Barcelonë
Në Barcelonë është mbajtur Forumi Final i Projektit PROMISE. Në këtë ngjarje të rëndësishme kanë marrë pjesë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, Menaxherja e Projekteve në FBK, Edita Medunjanin dhe Asistentja Ekzekutive në FBK, Rrezarta Kqiku, duke përfaqësuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) në Forumin e Projektit PROMISE (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave) në Barcelonë.
Në këtë forum, Edita Medunjanin ka prezantuar Implementimin e Strategjisë së Komunikimit, si dhe Zhvillimin e Projektit në Kosovë. Ajo gjithashtu ndau ndikimin e projektit PROMISE në komunitetin e basketbollit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive të vajzave dhe grave në të gjitha nivelet e sportit. Forumi është mbajtur më 29 maj, derisa më 30 maj, në takimin përmbyllës të Komitetit Drejtues të projektit PROMISE, u diskutua për të ardhmen e këtyre përpjekjeve dhe për mënyrat konkrete që do të sigurojnë që ndikimi i PROMISE të vazhdojë edhe përtej këtij projekti.
Projekti 30-mujor i financuar nga Erasmus+ u fokusua në fuqizimin e grave dhe vajzave në basketboll, si dhe në ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme për barazi gjinore në sport. Gjatë forumit u prezantuan rezultate konkrete, histori suksesi dhe iniciativa që dëshmojnë fuqinë e bashkëpunimit dhe vullnetit për ndryshim. Në Kosovë, projekti PROMISE pati ndikim të gjerë duke përfshirë një numër të madh aktorësh dhe palësh të interesit, duke zgjeruar kështu rrjetin dhe ndikimin në komunitet.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për herë të parë ishte pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, më saktësisht në kuadër të programit të Erasmus+.
Projekti “PROMISE” përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria. Partneriteti është një kombinim i një organizate akademike, përgjegjëse për projektimin dhe vlerësimin e mjeteve, 5 federata kombëtare të basketbollit (Franca, Bullgaria, Kosova, Irlanda, Portugalia) dhe 1 federatë rajonale e basketbollit, Federata e Basketbollit e Katalunisë, e cila edhe udhëheqëse e projektit. Projekti “PROMISE” filloi në Janar 2023.