
DW: Gjermanët kalojnë ulur më shumë se dhjetë orë në ditë
Qoftë në zyrë, në makinë apo në divan, Gjermania kalojnë ulur më shumë orë se kurrë. Sipas një ankete vetëm dy përqind e të pyeturve i plotësojnë të gjitha kriteret për një stil të shëndetshëm jetese.
Shumica e njerëzve në Gjermani nuk lëvizin mjaftueshëm dhe kalojnë shumë kohë ulur. Sipas një studimi të kohëve të fundit të zhvilluar në Gjermani të rriturit rrinë ulur mesatarisht më shumë se dhjetë orë gjatë ditëve të javës – pothuajse dy orë më shumë se dhjetë vjet më parë. DKV e quan këtë një “rekord alarmues”.
Sipas të dhënave të anketuarit kalojnë mesatarisht 3.5 orë ulur në punë dhe 2.5 orë të tjera duke parë televizor. Udhëtimi me tren, makinë ose mjete të tjera transporti përbën 80 minuta në ditë, dhe koha e kaluar në kompjuter ose tablet është 1.5 orë. Në pjesën tjetër të kohës njerëzit i kalojnë mesatarisht edhe 82 minuta të tjera ulur.
Mungesa e lëvizjes problem i madh
Edhe pse afërsisht 68 përqind e të anketuarve e arrijnë minimumin e rekomanduar prej 150 minutash lëvizjeje në javë, vetëm një e treta e atyre që rrinë ulur shumë mund ta kompensojnë uljen e zgjatur. Pothuajse një ndër pesë nuk lëviz më shumë se dhjetë minuta pa ndërprerje.
Të qëndruarit ulur për periudha të gjata është i rrezikshëm për shëndetin dhe “biologjikisht jo stimulues”, paralajmëron studiuesi Ingo Froböse. Prej mungesës së lëvizjes shtohet barra esistemit të kujdesit shëndetësor. Gjermania është mirë sa i përket trajtimit të sëmundjeve, por mbetet ndjeshëm prapa lidhur me parandalimin e tyre.
Vetëm dy përqind kanë një stil të shëndetshëm jetese
Për studimin u anketuan më shumë se 2,800 vetë. Përveç ushtrimeve fizike dhe jetës sedentare, për studimin u analizuan edhe mënyra e ushqyerjes, konsumi i alkoolit, pirja e duhanit dhe stresi.
Rezultatet tregojnë se rreth 80 përqind e të anketuarve nuk pinë as duhan dhe as cigare elektronike. 29 përqind e të anketuarve nuk pinë fare alkool. Megjithatë vetëm rreth një e treta e popullsisë ha një dietë të shëndetshme dhe ndjek rekomandimet e Shoqatës Gjermane të Ushqyerjes (DGE). Ajo rekomandon, për shembull, që njerëzit të hanë kryesisht fruta dhe perime, drithëra, bimë bishtajore dhe arra, dhe të konsumojnë pak mish.
Në përgjithësi vetëm dy përqind e të anketuarve i përmbushin të gjitha kriteret për një stil jetese të shëndetshëm. Gratë rezultuan pak më mirë se burrat.