Dy asambleiste të LDK-së në Vushtrri distancohen nga marrëveshja e Tahirit me LVV-në: Na gënjeu se u koordinua me qendrën
Dy asambleistet e zgjedhura të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri, Leonora Gërguri dhe Gentiana Rama, janë distancuar publikisht nga marrëveshja e koalicionit që ua rrit sot nga Xhafer Tahiri me Vetëvendosjen në këtë komunë për balotazhin e 9 nëntorit.
Ato thonë se janë kundër çdo marrëveshjeje që, sipas tyre, është bërë pa miratimin dhe pa koordinimin e organeve qendrore të partisë.
“Ne, si asambleiste të zgjedhura të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Vushtrri, shprehim publikisht distancimin tonë të plotë nga çdo marrëveshje e bërë pa miratimin dhe pa koordinimin e organeve qendrore të LDK-së,” thuhet në reagimin e tyre.
Ato kanë sqaruar se në takimin e mbajtur një ditë më parë kishte kërkuar sqarim nëse marrëveshja ishte bërë në bashkërendim me qendrën e partisë dhe statutin e LDK-së. “Në takimin e mbajtur dje, kërkova qartësisht të di nëse marrëveshja në fjalë është realizuar në bashkërendim me qendrën e partisë dhe me statutin e LDK-së, ku nga kryetari Xhafer Tahiri u pohua se një gjë e tillë është bërë,”.
Sipas tyre, fotografia e bërë një ditë më parë mes asambleistëve po keqpërdoret. “Fotoja e bërë dje me duar të bashkuara mes asambleistëve po keqpërdoret dhe është realizuar pas një pohimi të rremë se ekzistonte koordinim me qendrën e LDK-së,” thuhet në reagim.
Në fund, Gërguri dhe Rama kanë nënvizuar se çdo veprim jashtë kornizës zyrtare të partisë është i papranueshëm. “Çdo marrëveshje apo veprim i ndërmarrë jashtë kornizës institucionale të LDK-së, pa miratimin dhe koordinimin e plotë të partisë, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për interesat tona politike,” përfundon reagimi.



