Dy derbi në Superligë
Sot (e shtunë) do të zhvillohen dy ndeshje derbi në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Vëmendja kryesore do të jetë në derbin e skuadrave nga qyteti i Gjilanit që njihet edhe si derbi më i madh në futbollin e Kosovës, Drita – Gjilani. Të dyja këto skuadra janë në garë të ashpër për titull dhe që të dyja do të kërkojnë fitore. Ndryshe nga herët e tjera, ky derbi do të jetë më i zbehtë për faktin se shikuesit nuk kanë të drejtën të jenë në stadium për shkak të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Ndeshje e zjarrtë do të jetë edhe në Suharekë, ku Ballkani e pret Prishtinën. Klubi që drejtohet nga Ismet Munishi, Ballkani, është tri pikë pas skuadrës lidere dhe synon të marrë tri pikë ndaj Prishtinës dhe në anën tjetër ta presë gabimin e Dritës. Edhe Prishtina që ka mbetur një hap pas në garën për titull, udhëton për fitore.
Trepça ’89 kërkon pikët e mbijetesës ndaj Llapit që nuk guxon të bëjë shumë gabime, sepse diferenca e pikëve nuk është e madhe dhe mund të rrezikojë rënien. Pikët e mbijetesës i kërkojnë edhe Drenica ndaj Vushtrrisë dhe Flamurtari në përballje me Feronikelin. Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje zhvillohen sot nga ora 17:00.
IPKO Superliga – Java e 31
Të shtunën takohen:
17:00 Drenica – Vushtrria
17:00 Ferizaj – Dukagjini
17:00 Trepça ’89 – Llapi
17:00 Flamurtari – Feronikeli
17:00 Ballkani – Prishtina
17:00 Drita – Gjilani

(Veton Zymberi)



