“Dy GOATS”, Shtëpia e Bardhë pas takimit të Trumpit me Ronaldon

19 nëntor 2025 | 16:29

Superylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka marrë pjesë të martën në një darkë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, ku i pranishëm ishte edhe udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës Mohammad bin Salman.

Para ngjarjes, presidenti amerikan Donald Trump e quajti “nder” praninë e Ronaldos, i cili, me rolin e tij kyç në ligën saudite të futbollit, është shndërruar në një nga figurat kryesore të fushatës së modernizimit të Arabisë Saudite.

E Shtëpia e Bardhë, në një postim të shkurtër në Instagram për vizitën e Ronaldos, tha: “Dy GOATS”.

GOAT është shkurtesë në gjuhën angleze për “Më i miri i të gjitha kohërave”, që zakonisht iu referohen Ronaldos dhe Lionel Messit.

Sipas BBC-së, Bin Salman po synon të zvogëlojë varësinë e vendit nga të ardhurat prej naftës, duke e diversifikuar ekonominë drejt sportit, turizmit dhe sektorëve të tjerë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Ronaldo do të ishte pjesëmarrës në darkë, por nuk specifikoi nëse ai ishte pjesë e delegacionit zyrtar të princit saudit.

Duke iu drejtuar yllit portugez të futbollit, Trump u tha të ftuarve: “Djali im është një fans i madh i Ronaldos”.

“Edhe Barron e takoi atë, dhe besoj që tani më respekton pak më shumë, vetëm nga fakti që ia prezantova”, shtoi presidenti amerikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dështimit të…