Dy grackat e dashurisë, sipas Simone de Beauvoir

28 qershor 2023 | 09:54

ga Jonny Tomson

Evie është e vetmuar. Çdo ditë, ajo shkon në punë ku flet vetëm me disa njerëz, vetëm për shkak të mirësjelljes së detyruar për “kolegët”. Kthehet në shtëpi për të ngrënë një vakt të ngrohur në mikrovalë por pastaj ulet në cepin e një divani.

Ajo lan dhëmbët, reflekton për disa minuta, dhe më pas shtrihet si gjithmonë në të njëjtën anë të shtratit. Gjëja e fundit që ajo sheh natën është hapësira prej 1 metër e zbrazëtisë së patrazuar ku nuk do të flejë askush tjetër. Pastaj një ditë njihet me Adamin. Ai është tip karizmatik, inteligjent dhe i sjellshëm.

Të dy fillojnë të dalin bashkë dhe shumë shpejti gjërat bëhen serioze. Një ditë, ndërsa Evie shtrihet në shtratin e saj jo më të zbrazët, duke e parë në sy Adamin thotë: “Adam, kam nevojë për ty. Nuk mund ta imagjinoj të jetoj pa ty. Ti më plotëson mua”. Diku në eterin filozofik, filozofja franceze e shekullit XX-të, Simone de Beauvoir, bën një shaka mosmiratuese.

Kur dashuria është një hob i fundjavës

Dashuria është një gjë e rrezikshme dhe kërkon trajtim shumë të kujdesshëm. Sot ne na mësohet se dashuria është gjithçka. Ushqehemi me një “dietë” romantizmi dhe asfiksohemi në një kulturë popullore të fiksuar pas “dashurisë së vërtetë”. Por rrallëherë bëjmë një hap pas dhe vlerësojmë se çfarë është dashuria dhe çfarë bën ajo.

Këtë e bëri Simone de Beauvoir. Filozofia e pa dashurinë si një ecje mbi litar midis 2 kurtheve. Nga njëra anë, kemi një “dashuri” për dominimin, kontrollin dhe pronësinë. Për De Beauvoir, kjo është shpesh mënyra se si burrat i shohin gratë “e tyre” (edhe pse, sigurisht, mund të jetë kushdo).

Për këta njerëz, dashuria është një lloj biznesi. Është një pjesë e domosdoshme e jetës që duhet pasur. Të jesh bashkëshort/e është një gjë e bukur, por ato ekzistojnë në mënyrë të varur për të punuar ose për të lehtësuar jetën shoqërore.

Këta lloj njerëzish do ta ruajnë pavarësinë e tyre si një “subjekt sovran”, ndërsa presin një përkushtim të palëkundur nga partneri i tyre. Për ta, dashuria nuk është diçka në të cilën njeriu hyn. Përkundrazi, është diçka që mbahen përgjithmonë në distancën e krahut, ndoshta as që shihet si e rëndësishme. Me këtë lloj dashurie, gjithçka ka të bëjë me egon dhe dukjen, pa respektin e nevojshëm për dashurinë. Një marrëdhënie e tillë është një marrëdhënie pronësie.

Kur dashuria është gjithçka që ke në jetë

Nga ana tjetër, ekziston dashuria po aq problematike e vetë-mohimit dhe sakrificës. Kjo ndodh kur dikush ia dorëzon veten partnerit të tij, apo kur jeton duke adhuruar idenë e dashurisë. Kjo lloj dashurie kërkon një riorientim total të personalitetit tuaj drejt dikujt tjetër.

Vetja përcaktohet nga marrëdhënia. De Beauvoir argumentoi se kjo është kryesisht e vërtetë për gratë në marrëdhënie, duke shkruar se “gruaja n se ka gjetur më në fund veten në sytë e burrit”. Në historinë tonë hipotetike, Evie futet në një marrëdhënie me Adamin sepse ajo është e paplotë në vetvete.

Shprehja “ti më plotëson mua” është e rrezikshme, sepse do të thotë që Evie pushon së përpjekuri të jetë vetja e saj. Dashuria për të mohuar veten i jep fund aftësisë së pavarur të një personi për të zgjedhur. Në këto kushte ata shndërrohen në një tipar të jetës së dikujt tjetër.

Dhe kështu, ata do të bëjnë vetëm atë që dëshiron partneri i tyre. Ata do të takojnë vetëm miqtë dhe familjen e tij. Ata do ta trajtojnë atë si poli magnetik rreth të cilit rrotullohet gjithçka. De Beauvoir ishte një ekzistencialiste, që thoshte se një jetë origjinale dhe kuptimplotë matet me zgjedhjen që bën dikush.

Njeri është ai që zgjedh një rrugë. Nëse gjithçka që bën ose mendon një person filtrohet së pari përmes prizmit të dikujt tjetër, atëherë ai nuk po zgjedh rrugën e tij. Ai nuk është më një person, por një shtojcë. Ai e ka bërë veten një objekt.

Lloji i mirë i dashurisë

Sipas de Beauvoir, dashuria nuk është as dominim dhe as shpërbërje. Është një partneritet. Nëse e doni dikë, ju e doni atë si një tërësi të pavarur. Ju nuk e doni për aq sa mund ai apo ajo të të bindet apo sa mirë duket në krahun tuaj. Ju nuk e doni dikë për atë që mund të jetë ose për atë që dëshironi të jetë.

Po kështu, dashuria nuk synon të ndreqë problemet në jetën tuaj. Disa njerëz e shohin dashurinë si një kurë. Ata e shohin veten si të thyer shpirtërisht, si të paplotë ose gjithmonë të palumtur nëse nuk kanë dashuri. Dashuria e vërtetë është një vlerësim reciprok i njëri-tjetrit.

Nuk është kontroll, dhe as vetëmohim, por është takimi i dy mendjeve të barabarta dhe të pavarura. Në dashuri duhet të pranosh që tjetri ka individualitetin e tij. Të kërkosh atë që është më e mira për të dhe të mos përpiqet asnjëherë që ta diktosh apo kontrollosh atë. Por siç tha dikur shkrimtari Antoine de Saint-Exupéry “Dashuria nuk ka të bëjë me shikimin e njëri-tjetrit në sy, por me shikimin së bashku në të njëjtin drejtim”. / “Big Think” – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një anije po udhëtonte një çift. Papritmas anija pësoi…