Dy klube nga Anglia kërkojnë Arbër Hoxhën
Janari pritet të sjellë lëvizje të rëndësishme për Arbër Hoxhën. Anësori i Kombëtares së Shqipërisë ka hyrë në radarin e klubeve angleze, me Sheffield United dhe Hull City që po përplasen për shërbimet e 27-vjeçarit.
Sipas “Sportsboom”, të dy klubet janë gati të paraqesin oferta konkrete në merkaton e dimrit, ndërsa performancat e Hoxhës si me Dinamo Zagrebin ashtu edhe me Kombëtaren kanë rritur ndjeshëm vlerësimin për të. Sheffield United shihet me një avantazh të lehtë falë fuqisë më të madhe financiare, çka mund të bëjë diferencën në bisedimet përfundimtare.
Hull City, nga ana tjetër, ka një pikë të fortë, trajnerin Sergej Jakirovic. Tekniku kroat ka punuar më parë me Hoxhën në Dinamo Zagreb, ku anësori numëroi 31 ndeshje, 4 gola dhe 3 asistime nën drejtimin e tij. Jakirovic ka tentuar ta marrë lojtarin edhe gjatë periudhës së tij te Kayserispor dhe tani po kërkon të shfrytëzojë marrëdhënien e tyre për ta marrë në EFL Championship, transmeton euronews.al.
Dinamo Zagrebi nuk e ka nxjerrë në shitje Hoxhën, sidomos pasi i rinovoi kontratën deri në vitin 2029, por paga e tij e moderuar, rreth 500 mijë euro në vit, e bën një objektiv të arritshëm për klubet angleze.
E ardhmja e anësorit kuqezi mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt, Arbër Hoxha është një nga emrat më të nxehtë të janarit.



