
Dy mushkonjat që transmetojnë sëmundje tropikale po përhapen në Britani
Shkencëtarët kane paralajmeruar se dy specie mushkonjash të rrezikshme për shëndetin publik janë zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe po përhapen me shpejtësi për shkak të ngrohjes globale.
Aedes aegypti (e njohur si mushkonja egjiptiane) dhe Aedes albopictus (mushkonja tigër ose e pyllit), janë bartëse të njohura të disa sëmundjeve të rrezikshme si ethet e verdha, dengi, chikungunya, Zika dhe dirofilarioza.
Zbulimi u bë përmes kurtheve të vendosura nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.
Rastet e zbuluara:
Vezë të mushkonjës egjiptiane u identifikuan në shtator 2023 në një depo mallrash pranë aeroportit të Heathrow në Londër.
Mushkonjat tigër u panë për herë të parë që prej vitit 2019 në një stacion shërbimi në autostradë në Kent.
Këto gjetje ngrenë shqetësime serioze për përhapjen e këtyre specieve në territorin britanik, ndërsa më parë ato ishin të kufizuara në zonat tropikale dhe subtropikale. Megjithatë, mushkonja tigër tashmë ka krijuar popullata të qëndrueshme në Evropën Jugore dhe Qendrore, duke dëshmuar se mund të mbijetojë edhe në klima më të freskëta.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike, rritja e temperaturave dhe lëvizjet e mallrave nëpërmjet transportit ndërkombëtar, po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e këtyre mushkonjave në vendet që më parë konsideroheshin të sigurta.
Autoritetet britanike po monitorojnë situatën dhe kanë rritur masat e survejimit për të parandaluar vendosjen e përhershme të këtyre mushkonjave në territorin e vendit.