Dy persona gjenden pa shenja jete në një shtëpi në Rahovec, trupat dërgohen për obduksion
Një ngjarje e rëndë është raportuar dje në Rahovec, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “Halil Hamza”.
Rasti është paraqitur rreth orës 08:30 në Stacionin Policor në Rahovec nga një familjar, i cili ka njoftuar se gjatë vizitës tek kushëriri i tij, i cili jetonte i vetëm, i ka gjetur të shtrirë pa shenja jete dy persona: H. M. rreth 86 vjeç dhe J.M. rreth 64 vjeç.
Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e të dy viktimave.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit dhe Prokurorin kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa është urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes.
Trupat janë transportuar drejt IML-së në Prishtinë, ndërsa rasti për hetime të mëtejshme i është dorëzuar Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të DRP Gjakovë.
Hetimet janë në vazhdim.



