
Dy persona të arrestuar pasi dy punëtorë vdiqën në një vendpunishte në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se dy persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, pas vdekjes së dy punëtorëve më herët gjatë ditës në një vendpunishte në këtë qytet.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurori, prokurori kujdestar, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Në të kaluarën udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë shprehur të shqetësuar me, siç kanë thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për vitin 2024, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës.