Dy romane dy vlera një mendim

08 shtator 2025 | 12:58

Shkëlzen Ukëhaxhaj

HYRJE

Çdo shkrimtar kur merr lapsin për të shkruar nuk mund të jetë rastësi, intimisht qoftë edhe i ndikuar nga subkoshienca e tij, ai dëshiron të thotë diçka, i drejtohet dikujt duke menduar se do të ndikojë të ajo shtresë e shoqërisë që i drejtohet, qoftë në aspektin emocional apo socio-politik, zgjedh format dhe mjetet. Pra, kur autori shkruan, ai dëshiron që edhe ta lexojë një auditor i cilësdo përmasë. Rrjedhimisht lexuesi ndikohet pavarësisht si ndikon në nënvetëdijen e tij, por dëshira e parë e autorit plotësohet në këtë mënyrë:

O, si nuk kam një grusht të fortë,

T’i bijë m’u në zemër malit që s’bezanë.

T’a dij dhe ai se ç’domethanë i dobët,

N’agoni të përdridhet si vigan i vramë.

Shkruante Migjeni këto vargje dhe mendonte në ndikimin e tyre? Këtë nuk mund ta dimë me siguri, por hamendja jonë thot: Po. Revoltën që kishte përbrenda, duhej ta nxirrte dhe pastaj ndikimi është pjesa e dytë e dëshirës.

“Sepse objekti letrar është një fugë e çuditshme që ka kuptim vetëm në lëvizje”, shkruante Sartri në (“Ç’është letërsia” shtëpia botuese “DeaS” f.31 Tiranë, 1998). Ai vazhdon: “Procesi krijues nuk është veçse një moment i mangët dhe abstrakt i prodhimit të një vepre. Nëse autori do të ekzistonte vetëm, ai mund të shkruante sa të donte; vepra si objekt nuk do t’i dilte kurrë në dritë dhe duhej që ai ta linte lapsin ose të dëshpërohej” (Po aty f.32). Prandaj studimi i veprave letrare nga aspekti stilistik dhe estetik është i domosdoshëm edhe sot kur studiohet një vepër letrare postmoderne dhe do të jetë në vazhdimësi, sepse autori dhe lexuesi gjenden patjetër në një “fugë të çuditshme”.

Kohë më parë më rastisi në një nga tv – të tona të shumta, ta shoh në një intervistë autorin tonë të mirënjohur B. Blushin tek tregonte për romanin e tij nga të fundit “Parajsa artificiale”. Ishte titulli i librit që më tërhoqi që, nuk e di pse por më kujtoi menjëherë pjesën e tretë të “Komedisë Hyjnore”, Parajsën. Dhe deshta të dij cila është tani Parajsa artificiale e B. Blushit. Nga pyetjet e gazetares në studion e tv-së dhe përgjigjet e tij, kuptova se edhe pjesa e parë e librit të tij qenka, Ferri. Këto dy simbole më dhanë shtytje ta lexoj këtë roman.

Gjatë  bisedave përreth letërsisë dhe letrarisë një shok e kishte lexuar romanin, “Një fije shprese një fije Shkrepëse” të autorit tash të mirënjohur Ag Apollonit. Më propozonte që ta lexoj, dhe ia pranova këtë propozim, që më doli me vlerë.

Ben Blushi ishte i njohur për mua me romanet e tij të magjepshëm  “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, të cilët i kisha lexuar që një kohë të gjatë dhe më kishin lënë përshtypje shumë të mirë, andaj nuk bëja gabim nëse do ta lexoja edhe romanin e tij nga të fundit, në mos i fundit, Parajsa artificiale. Ndërsa për Ag Apollonin pata lexuar edhe një recension nga Rexhep Qosja i cili e vlerësonte nga shkrimtarët më premtues të sotëm në letërsinë shqipe. Ndoshta katër javë, jo më shumë, pas Qosjes pata lexuar në internet një recension nga një autor i huaj, emri i të cilit nuk më kujtohet por as portali ku qe publikuar, por më kujtohen vetëm notat e larta të vlerësimit me rastin e promovimit, nëse nuk gaboj, në gjuhën angleze, të njërit nga romanet e tij, ndoshta këtij të lartcekurit. Kështu i lexova këto dy vepra letrare në një interval një javor. Siç e thash, pas leximit veprat ndikuan në subkoshiencën time dhe erdhi dëshira për të hyrë në atë “fugën e çuditshme”.

I

Ashtu sikur romani Parajsa artificiale i cili fillon me një histori dashurie në krevatin e dy të “dashuruarve” në mëngjesin e hershëm të një paraditeje dhe përfundon pas njëzetekatërorësh po në atë dhomë; edhe romani tjetër i Ag Apollonit fillon në paraditën e një të marteje në Qendrën e Prishtinës pranë Katedralës Nënë Tereza dhe përfundon në muzgun e po asaj dite pikërisht te Katedralja Nënë Tereza.

Në të dy romanet rrëfimi bëhet për luftën. Përderisa Simon Shuteri, shkrimtari i famshën, për t’ia plotësuar dëshirën dashnores së tij shumë më të re në moshë se ai, pasi kjo ishte një adhuruese e pasionuar e veprave të tij, ky vendos që të krijojë incident për luftë në mënyrën më paradoksale me ndonjë nga fqinjët, në mënyrë që babai i dashnores së tij si oficer i lartë i kohës së komunizmit nuk ka pasur mundësi që dijen dhe talentin ta ushtrojë në praktikë; domëthënë Shqipëria nuk kishte pasur luftë në këto 75 vite. Pikërisht këtu ndodh një gabim material do të thoja sepse Shqipëria kishte bërë një luftë të shkurtër me Serbinë në vitin 1998/99 dhe këtu babai i dashnores së Simon Shuterit kishte rastin për të treguar guximin dhe talentin siç e tregoi për shembull Gjeneral Kudusi Lame dhe dhjetra oficerë të tjerë shqiptarë. Nëse një autor shkruan për kohën në të ardhmen, ai mund t’i lejoj vetes ta shkrijë tërë intuitën e tij deri në fund, por, nëse autori prek në të kaluarën historike dhe atë jo shumë të kahershme, nuk mund t’i lejohet që ta abstrahojë sikur të mos ketë ndodhur një luftë shumë e përgjakshme në të kaluarën krejt të afërt, në aspektin historik, ndërkohë tema e librit është lufta, edhe pse në aspektin imagjinar, kjo e metë nuk mund t’i falet një autori si Ben Blushi.

Pikërisht për këtë luftë na rrëfen romani i dytë i kësaj teme “Një fije shprese Një fije shkrepëse”. Të kthehemi prapë të dëshira e dashnores së shkrimtarit S. Shuterit. Çfarëdo lufte qoftë ajo me fqinjët e afërm apo edhe me shtete të largëta, siç është puna me Iranin e ku mund të kërset edhe luftë ndërkombëtare, ndoshta lufta e tretë botërore, një ka rëndësi, që luftën ta fitojë babai i dashnores së tij, oficeri i lartë në parapensionim. Kjo, jo pse dashnorja dëshironte, por ajo donte që ta sprovonte të dashurin me një dëshirë që apriori ishte e pamundur ta realizojë. Këtu, pikërisht këtu, fshihet esenca e kësaj vepre letrare, interteksti i saj. “Unë dua që ti të besosh se unë kam aftësinë të sajoj një luftë për t’i bërë qejfin një gruaje, tha Simon Shuteri” (B. Blushi “Parajsa artificiale” f.80).  Duke qenë e pamundur që ta realizojë këtë dëshirë, në kuptimin e parë, të shfrenuar; sepse, një dëshirë për të nisur një luftë vetëm për të sprovuar të  dashurin, nuk është më pak se shfrenim, dhe, së dyti, shkrimtari Simon Shuteri në dialog me të dashuren gjen mundësinë e tij për të analizuar me kundërthënie çdo veprim të mundshëm para se ta marrë veprimin konkret. Duke u mbështetur në teoremën filozofike shkak-pasojë, dëmëthënë nëse shkaktohet një luftë, cilat janë pastaj pasojat, autori Blushi bën një lojë të shkëlqyeshme me fjalën, fjalinë apo edhe me fraza të tëra. Një ndër figurat ndonëse më të rralla që është e intergruar në intertekst është edhe anafora që e bën leximin më të kënaqshëm. Struktura e veprës e mbanë lexuesin të mbërthyer pas fletëve të librit dhe papritur arrin në fund pa qenë i ngopur me risitë që do t’i priste në vazhdimësi. Pa vetëdije bën pyetjen pse përfundoi kaq shpejt?! Një përgjigje sadopak me humor do të ishte: po për 24 orë, kaq luftëra ishte në gjendje të improvizonte Simon Shuteri. Në anën tjetër lexuesi mund të mërzitet paksa me përsëritjet e të njëjtës figurë letrare. S. Shuteri gjatë tërë romanit ka përballë një dashnore naive. Pyetjet dhe kërkesat e sajë janë nganjëherë aq fëminore saqë na çon në dëshirën për të mos vazhduar tutje me leximin e romanit, sepse veç u mësuam me atë lojën e antitezës. Dialogu që zhvillohet për luftë me atë shtet a komb, nuk na duket se po flasim për një luftë, por për një lojë, një përmbushje kënaqësie të një dashnoreje naive nga mosha dhe papjekuria, po ashtu. Dhe nuk na duket, por është kështu…

Ag Apolloni niset me dy shokët e tij nga Katedralja “Nënë Tereza” për ta vizituar një nënë të katër djemëve të vrarë dhe grua e ve që shkaku ishte një luftë e tmerrshme e përgatitur dhe me qëllim të caktuar për më shumë se një shekull. Fati i zi i kësaj nëne, pra, ishte lufta. Duke u kthyer më shumë se 2500 vjet në retrospektivë e duke marrë një shembull të një nëne nga drama e humbur e Eskilit dhe duke e krahasuar me tragjedinë e nënave tona si nëna Pashkë dhe Ferdonije, në këtë mënyrë duke e vërtetuar atë thënien se historia përsëritet. Apolloni flet për luftën duke cekur dy ngjarje të vërteta nga shumë të tjera të ndodhura në vitet 1997 – ‘99 në truallin antik të Dardanisë, tani Kosovë. Përshkrimi i luftës përmes personazhit të nënë Pashkës dhe Ferdonijes dallon nga ai i Ben Blushit. Aq shumë përjetohen ato ditë të vështira të luftës por sidomos të pasluftës apo siç thuhet dikund në roman se për dikënd ka përfunduar lufta në qershorin e ’99-es e për Pashkën dhe Ferdonijet as në të 2020-en. Brenda pak faqeve të librit përmes tregimit të nënë Pashkës se sa të lumtur kishin qenë para vitit 1997 si familje e bekuar me djemë të mirë e punëtorë dhe brenda një dite kidnapimi i djemve në kulmin e luftës gjatë bombardimeve të NATO -s në Kosovë ku paramilitarët dhe militarët e ushtrisë serbe të urdhëruar saktësisht nga shteti serb për shpopullzimin masiv të Kosovës Dardane nga shqiptarët me metodat më barbare që kishte parë ndonjëherë shoqëria njërezore, në ndonjë rast tejkaluar edhe Holokaustit…

Dy figurat kryesore të veprës na paraqiten sa mitike edhe më shumë reale, me një stil të veçantë i cili të bën që Kosovën e vitit 1999 ta përjetosh edhe sot si ato ditë. Më shumë se kaq, po të lexohet ky libër nga një auditor i gjerë i huaj jo vetëm që do të njihet e përjetohet Kosova nën tytat dhe thikat e ushtrisë së Millosheviqit por edhe historia e saj antike e moderne. Përkundër Ben Blushit që shumëkund bie ndesh me moralin njerëzor duke nënçmuar popuj e kombe duke filluar nga shqiptarët, natyrisht gjithmonë në formë ironike e në kufijtë e letrarisë, Ag Apolloni duke përdorur formën intrinsektuale të narracionit, i tregon botës që përkundër asaj tragjedie nënat shqiptare nuk “vjellin” kundër popullit serb, por kërkojnë djemtë e burrat e tyre, kërkojnë drejtësinë që po vonohet edhe pas një çerek shekulli, e këtë e bëjnë pa dhunë kundër tjerëve por në mënyrën speciale të tyre: njëra duke djegur veten, duke u vetmohuar dhe tjetra duke kërkuar drejtësinë që ashtu siç i kishte premtuar burrit të saj se nuk do të harrohen. Ashtu ajo arriti ta krijojë shtëpinë e tij – shtëpi muze, ku do të shihen gjurmët shtazarake të një shteti shtazarak dhe jo vetëm bijtë e saj me burrin, por, do të jetë muze i kujtesës për të gjithë të gjeturit dhe të pagjeturit të një kohe që s’duhet të përsëritet, të një dramë tragjike e cila nuk do të humbet prapë si Nioba e Eskilit,  por do të ngulitet thellë në ndërgjegjën e njerëzimit.

Të dy shkrimtarët tanë, as në këtë rast nuk e tejkalojnë pa potencuar veçorinë religjioze që portretizon kombin tonë si një nga kombet me tolerancën më të madhe fetare para kombeve tjerë. Ndonëse nga çasje krejt të ndryshme ata edhe një herë e provojnë këtë të vërtetë, të vërtetën e Pashko Vasës. S. Shuteri i Ben Blushit bëhet musliman vetëm që pashai t’ia lejojë që të lahet në hamamin e qytetit, ai bëhet hebre kur e do nevoja; e s’e ka problem as të bëhet katolik e as ortodoks; bile bile ai i mohon të gjitha fetë dhe bëhet komunist, siç u bënë shqiptarët kur qe nevoja, sepse më në fund, prapë është ai shqiptari dhe feja nuk e ka rolin kryesor në karakterin e tij individual. Është kështu dhe duhet të jetë edhe në të ardhmen, pra dytësore.

Në aspekt krejt tjetër, Apolloni tregon se feja ndonëse e ka rolin e saj në karakterin e njëriut shqiptar (si te nënë Pashka), por e zë vendin e dytë, pasi ajo zbehet kur takohet me aspektin kombëtar. Ag Apolloni dy përsonazhet kryesore, njëri katolik e tjetri musliman, shpesh i përballë me këtë problematikë të vazhdueshme të shqiptarëve, duke përdorur prapë formulën e intrinsektit. Ai tregon se nënë Pashka i këshillon  djemtë që t’ju japin ndihma gjithë atyre që kanë nevojë, pa përjashtim, gjatë këtyre ditëve të vështira për popullin shqiptar. Ata jepnin ndihma disa familjeve nga Reka e Keqe (dihet mirëfilli se në Rekë të Keqe jetojne dy konfesionet qe sa shekuj). Po ashtu familja e nënës Pashkë ndihmonte me ushqime edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kososovës. Nëna Pashkë recitonte edhe vargjet e Fishtës për Oso Kukën së bashku me një nga komandantët e asaj Zone. Jo rastësisht në faqen 53 të romanit  Apolloni e tregon këtë histori të Nënë Pashkës dhe komandantit të UÇK-së duke recituar vargjet e Fishtës. Mendoj se autori këtu ka pasur në mend intervistën e Fishtës i cili i përgjigjet një gazetari provokant anglezë: ”Si mund t’i quani shqiptarë muslimanët, kur ata kanë një fe tjetër nga ju? … Po të  vijë rreziku për vëllezërit tanë myslimanë, ne do t’i shkrijmë kryqet e kishave  për t’i bërë fishekë dhe do t’i mbrojmë ata”. “Pas pak buzë varrit e sollën edhe arkivolin. Erdhën katolikë e muslimanë. Erdhën. Erdhën edhe priftërinj…” (një Fije Shprese një fije Shkrepëse AG Apolloni f.60/61). Këtu arti i autorit tonë arrinë ndoshta edhe majen sepse me një stil e figuracion të saktë i tregon lexuesit se Nëna Pashkë edhe pse një besimtare e mrekullueshme dhe shumë shumë e përkushtuar ndaj Krishtit, para asaj tragjedie familjare merr vendimin kundër çdo ligji të krishtërimit, bëhet “heretike”. Në anën tjetër, po aty, autori thotë: “Erdhën edhe pritërinj” Do të thotë edhe priftërinjtë edhe pse nuk morën guximin, përveç njërit për të udhëhequr ceremoninë e varrimit, për respektin që gëzonte Nëna Pashkë, në kundërshtim me ligjin kishtar ata u bënë pjesë e  ceremonisë, autori thot: “Kështu mori fund historia e Nënës Pashkë, që vrau veten dhe u varros me prift” (Po aty f.61). Edhe pse jashtë kontestit por e shoh të arsyeshme këtu të tregoj një bashkëbisedim të nënës heroike të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, NËNËS AJSHE e cila në një bashkëbisedim me ushtarët e UÇK-së (me siguri të krishterë e muslimanë) iu paska thënë: parafrazim ‘… kudo që të faleni, në kishë apo xhami, zoti do t’ua ndëgjojë lutjet, se të dyjat shtëpi të të njejtit zot janë’. Kjo është dhuntia që zoti ua ka falë shqiptarëve dhe autori ynë e ka ngritur në përmendore arti. Këtë pjesë dua ta përfundoj me një citim të një pjese që i thotë të gjitha bashkë. “Përgjigjja mungon e heshtja kumbon. Ndërsa në Meje sot shkëlqejnë mbi varre pllakat, me kryqe e pa to. Të vendosura pjerrtas , ato duken si mburoja drejt qiellit. Në qetësinë e natës së pastër ato duken si ushtri në pritje të një sulmi, ndërsa në zhurmën e ditës së pluhërosur shihen shigjetat e diellit të ngulura në to. Duket që beteja mes njeriut dhe fatit s’mbaron as për së vdekuri”. A s’është kjo një poezi, një dramë shekspiriane, në vetvete, ku ndërthuret fati i një individi me fatin e kombit, feja dhe atdheu, të pandashëm tani e dhjetra e dhjetra shekuj.

II

Nga ato pak elemente që ia solla lexuesit përpara dhe sa të tjera që do të ishin pjesë e një studimi më të gjatë, dëshmojnë pa u hamendur se të dy romanet rrinë “këmbëkryq” në “odën” e letrarisë postmoderne. E para duke u mbështetur vetëm në dialogun midis dy personazheve me pyetje – përgjigje dhe e dyta me formë më komplekse të narracionit në disa forma te përziera, të themi një konglomerat narracionesh nga me të ndryshmet, mendoj se mjaftojnë për të nxjerrë një përfundim të  tillë.

Meqë, pa qenë qëllimi për të shkruar diçka rreth letërsisë moderne apo pasmoderne, duke lexuar këto dy romane në një kohë të shkurtër, (rreth një jave), nuk munda t’u iki pa përmendur disa pika që i bashkojnë dhe ato  që s’përpiqen asgjëkundi.

Lexuesi i letërsisë në njërën anë dhe ai teorisë së letërsisë këtë çerek shekulli çuditet dhe bën pyetjen: përse u duhet një çerek shekulli teoricienëve të merren me etapat e letërsisë dhe akoma nuk kemi një ujdi midis tyre, cila letërsi është moderne e cila postmoderne, a janë në të vërtetë modernizmi dhe postmodernizmi dy etapa apo dy forma të një drejtimi letrar; kur ka filluar ky modernizëm dhe cilët janë përfaqësuesit?! Lexuesi fiton përshtypjen se studiuesit tonë ndahen në shkrimtarë të priveligjuar ndoshta, me keqardhje, po shpesh vërehen edhe preferencat politike. Duhet të na vijë keq  që, ashtu siç po zgjat tranzicioni politik tani e 25 vite, edhe studimet e letërsisë kanë ngecur në këtë kurth, dëmëthënë po vrapojnë pas shkrimtarëve e do të duhej në mos përpara bile një hap me ta. Duke lexuar librin Konferenca Shkencore Kombëtare me temën ”Letërsia si e tillë – (Probleme të vlerësimit të trashëgimisë sonë letrare) mbajtur me 28 dhe 29 mars 1996 botuar nga Akedemia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nga “Toena” 1996 e verteton një pohim të tillë. Për të mos e ngarkuar shumë këtë temë po citoj diçka nga studiuesi ynë Sabri Hamiti. “Të theksojmë mënjëherë se qëllimin në letërsi e krijon autori. Është ky autori militant, veprues, i cili e mund autorin meditant. Tipi i tillë i autorit është bërë sovran në studimet letrare shqipe për të gjitha kohët, duke u bërë edhe parabazë për vlerësimin e letërsisë së tij… Ky tip i autorit shfaqet në fillim të shekullit njëzet me Zef Skiroin e Fishtën, për t’u artikuluar edhe në brezat e më vonshëm me Kadarenë dhe Qosjen. Ky tip i autorit karakteristik për letërsinë shqipe, himnizon e kritikon në letërsi e paraletërsi, duke dalë nga statusi i krijuesit artistik e duke marrë statusin e njeriut etik e politik”. S. Hamiti: “Pamje e re e letërsisë moderne. f.58”. Ndërkohë studiuesja e letërsisë moderne Floresha Dado shkruan: “Në mënyrë më të spikatur thyerjen e kufijve gjinorë e ka demonstruar Qosja (si romancieri më tipik dhe ndër të parët e postmodernizmit letrar shqiptar)… (F. Dado Identifikimi i poetikave në plan teorik dhe historiko-letrar f.47 Tiranë 2019). Dy mendime diametralisht të kundërta. Nuk kam çka të shtoj. Më tutje studiuesi Hamiti vazhdon, nuk po citoj sepse lexuesi i interesuar e gjen po aty të punimi i sapocituar, Në fillim të shekullit njëzet Konica shkroi se Naimi ka shkruar pak poezi të nivelit të lartë dhe konstaton se as sot pas një shekulli mendimi shqiptar nuk është qetësuar nga ky termet konician. Vazhdon tutje Krist Maloku, dijetar i letërsisë së viteve 30 nuk e njeh Lasgushin për poet me P të madhe, në krahasim me  Fishtën; I. Kadare në fillim të ’70-tave ia mohonte vlerat kulminante të letërsisë shqipe; Qosja e përmbyste për nga vlera romanin “Dasma” të Kadaresë dhe tash së voni njëri nga dijetarët e rinj letrar Aurel Plasari, e kritikon deri në përjashtim konceptin letrar të Dhimitër Shuteriqit. Të tilla konstatime dhe, edhe më të ashpëra herë mohuese e herë denigruese i gjejmë të shpeshta nëpër studimet tona letrare. Kjo dëshmon atë që thashë më lart se studiuesve tonë ua ka errësuar sytë edhe hakmarrja dhe xhelozia, sepse përgatitje teorike kanë mjaftueshëm. Për këtë të dëmtuarit më të mëdhenj janë autorët dhe lexuesit. Para se të kthehem aty ku e pata nisur, dua t’i prek dy momente që më bënë përshtypje gjatë konstatimeve të F. Dados rreth romaneve të R. Qosjes. Jo për t’ia hedhur poshtë sepse nuk e kam as “kaçikun” edhe përkundër asaj se ato qëndrojnë në masën më të madhe, por për të shfaqur këtu një brengë timen e po më ngacmon në aspektin emocional. Së pari studiuesja Dado ka dhënë një të dhënë të gabuar, mendoj që është gabim material, rreth botimit të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” domëthënë vitin e botimit. “E shkruar në fillim të viteve të ’80 romani “Vdekja…” sillte (sigurisht krahas autorëve të tjerë) dukuri postmoderniste…” (F. Dado Identifikimi i poetikave në plan teorik dhe historiko-letrar f.64 “Onufri” Tiranë 2019). Në të vërtetë Romani në fjalë i Qosjes është botuar për herë të parë në revistën letrare “Jeta e re” me pseudonim Luan Dukagjini në vitin 1973 dhe si roman u publikua një vit më vonë me 1974 botuar nga “Rilindja” Prishtinë, me emrin e vërtetë të autorit. Së dyti edhe teoricienë të tjerë, por në veprën  e saj studimore profesoresha Dado, krahas Qosjes rendit edhe disa autorë të rinjë: “Në një grup romanesh të viteve të fundit (R. Qosja, R. Dibra, B. Shehu, V. Zhiti , V. Graci, G. Krasniqi…) duket se parimi themelor estetik romanor bëhet vlerësimi i imagjinatës ndaj rrëfenjës, theksimi i aspektit figurativ ndaj atij diskursiv, preferenca e imazhit mbi narrativen” (Po aty f.48). Pa hyrë në detaje më duhet të them, përjashtojmë Qosjen, edhe pse romani i tij është botuar dy vite më vonë se roman OH i Anton Pashkut i botuar 1971, romani OH mendoj i ka të gjitha vetitë për të qenë ndër veprat e para të letërsisë sonë postmoderniste; mendoj se për nga vlera letrare do të qëndrojë mbi të tjerat. Prapë, këtu dua ta përjashtoj Qosjen, të gjithë të tjerët, të lartpërmendurit (jam bukur shumë i bindur)  para se të bëjnë hapin e tyre për të shkruar letërsi me premisa postmoderniste, më parë e kanë lexuar romanin OH të A. Pashkut, për të mos thënë se edhe janë ndikuar. Them kështu, sepse në vitet ’80-’90 të shekullit të kaluar kudo në qarqet e studentëve dhe profesorëve të letërsisë flitej si për një nga veprat më novatore të letërsisë së sotme shqipe, siç thuhej atëherë. Te romani Oh dallon struktura e ngjarjes nga ajo tradicionalja. Ngjarjet janë si fragmente, identiteti i paqëndrueshëm, referencat biblike, filozofike, imagjinare, simbolet dhe shumë të tjera që e bëjnë veprën padyshim nga prijetaret e postmodernizmit në letërsinë tonë. Prandaj është i pakuptueshëm, edhe nëse do të ishte krejt rastësi, “injorimi” i kësaj vepre, së paku për referencë.

No description available.

III

Për të mos harruar nga jemi nisur, po kthehem edhe pak te dy romanet për të cilat edhe e filluam këtë shkrim. Janë të shumta figurat që hasim te romani i B. Blushit “Parajsa artificiale”. Vetë struktura e veprës është një nga elementet e saj të veçanta. E shkruar nga fillimi deri në fund në formën e dialogut midis dy personazheve që të kujton intervistën gazetareske, njëri pyet e tjetri jep përgjigje dhe shpjegime, kohë e hapsirë pa fund. Një nga figurat më të përsëritura në vepër është antiteza, po e jap këtu një të tillë shumë të bukur: “Ku e gjete këtë vend të tmerrshëm, tha vajza. Po sikur Irani të na pushtojë, e kupton pastaj çfarë do ndodh me ne? Unë duhet të mbulohem nga koka te këmbët dhe takimi me dashnorin në shtëpinë time do konsiderohet krim. Tani do ishim arrestuar që të dy . Ti se po tradhton gruan, unë se po bëj seks para martese” (B. Blushi “Parajsa artificiale” f.33). B. Blushi romanin e ka ndarë në dy pjesë: Ferri dhe Parajsa. Në të parën, për dashurinë ai është në gjendje të sajojë luftë për dashurinë, që të kujton Luftën e Trojës, ku Paridi – princi i Trojës rrëmben Helenën gruan e mbretit të Spartës. Parajsa është pjesa e dytë ku S. Shuteri shpjegon si arrihet lumturia, “Më pyete për lumturinë… A e di kur do të jenë njerëzit të lumtur… kur të zhduken dy gjëra… Zoti dhe Puna… Si mund ta kuptojmë se nuk ka zot… Nuk ka zot aty ku nuk ka njerëz, A ka zot në Mars? Jo. A ka zot në Jupiter? Jo. A ka zot në hënë? Jo. Askund ku nuk ka njerëz nuk ka zot dhe kjo tregon se njeriu është jo vetëm Zot i vetës por edhe Zot i Zotit të vet… Pra në të ardhmen, ne do jemi Zoti, robotët do jenë njerëzit që do na shërbejnë dhe do na adhurojnë…” (“Parajsa artificiale” nga f.127-133). Këtu çmitizimi është në shkallën më ekstreme të mundshme, mandej thyerja e kohës, “Nëse mamaja jote do të lindte pas 300 vitesh nuk do të bëhej dot mësuese…”, mandej, “Kjo është njësoj sikur një grua para dyqind vjetësh….” (po aty f.90-92). Siç shihet B. Blushi ka bërë thyerjen në strukturë edhe vetvetes, kur krahasojmë këtë vepër me  “Otello,  Arapi i Vlorës”, por jemi të bindur se për nga aspekti teorik si nga aspekti diakronik e po ashtu ai sinkronik i përmbush të gjitha normat e një vepre postmoderne. Një nga të metat e veprës, për mendimin tim janë momentet kur mërzitesh nga përsëritjet e pyetjeve fëminore të dashnores dhe përgjigjeve të njejta që dallojnë vetëm për objektin. Gjithësesi është kënaqësi që kjo vepër iu  shtua fondit të mirë të letrarisë shqipe.

Me një strukturë narracioni krejt tjetër, romani i Ag Apollonit në masë të madhe është shkruar në formë të monologut. Siç e kemi theksuar më lart, ky roman ka një strukturë të ndërlikuar të rrefimit. Romani aq sa është i ndarë; pjesa e nënë Pashkës dhe ajo e nënë Ferdonijes për  nga çasja intrinsike ka një unitet të pandashëm. Autori kapërcen nëpër kohëra dhe epoka nga vende të caktuara. Niset nga auditoriumi i universitetit ku ligjëron lënden e letërsisë dhe pastaj figurat mitologjike të antikitetit i sjell në kohën tonë si personazhe reale, përgjat një udhëtimi me makinë Prishtinë – Gjakovë dhe anasjelltas. Brenda kësaj vepre letrare gjen romanin e mirëfilltë me narracion fragmentarizmin, rrëfimi përmes bashkudhëtarëve të tij, gjenë dramën, copëza me fakte etj. Ai bën edhe paralelizmin midis luftës së Kosovës dhe Holokaustit. Ai sjell këtu fakte historike sikur i dërguari i SHBA-së shkrimtarin nobelist Elie Wieseli i cili udhëton nëpër kampin e përgatitur për shqiptarët e Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Dokumentarin dramë për nënë Ferdonijen midis Beogradit; këtu gjejmë edhe përrallën si në faqen e 79 të romanit. Ajo që e mbizotëron veprën është simbolizmi. Duke filluar që në titull, Një fije shprese që ia dedikon nënë Ferdonijes, “Tash, në këtë mesditë prilli, njëzet vjet pas luftës, ajo ende gjen një fije shprese dhe kështu i ngjanë atij që derisa mbytej në det, përpiqej të kapej për një fije kashte” (Po aty f. 92), të cilën e mbanë shpresa ,dhe, një Fije shkrepëse që i shkon figurës së nënë Pashkës, “Kur kishte arritur në pikën mes shtëpisë dhe varreve, apo mes të gjallëve dhe të vdekurve… Ishte kthyer me fytyrë kah varret, aty ku kishte varrosur shpresën dhe, me mendjen top, e kishte ndezur shkrepësen” (Po aty f.57), e cila e përfundon historinë e jetës së saj. Dua ta përfundoj me një nga figurat simbolike më të arrira jo vetëm në këtë vepër, duke e parë nga njëra anë: “Dita e kryqëzimit u bë ditë e pashkës, pashkës së dytë. Sepse nuk është vetëm një pashkë. Pashka e parë, hebreje: kalimi nga robërija në liri. Pashka e dytë, krishterë: kalimi nga jeta materiale në atë shpirtërore. Pashka e tretë, shqiptare: kalimi nga zjarri i shpirtit në shkrumb të trupit. E para ndodhi në Egjipt, e dyta, në Golgootë, e treta në Gjakovë” (Po aty f. 62-63). Vështruar nga ana tjetër ky krahasim çalon, për arsyen sepse pashka e parë hebreje – vendimi i Moses për t’u larguar nga Egjipti i faraonëve me prosinë e zotit ndërroj jetën e mbarë popullit hebre, nga robëria skllavërore në lirinë e endërruar. Po ashtu pashkët e dyta me kryqëzimin e Jesus Krishtit jo vetëm që ndërroi besimin e popullit izrealit por edhe të pjesës më të madhe të shoqërisë njerëzore deri me sot. Ndërsa pashka e tretë nëna shqiptare mbetet rast i izoluar, është vetëm një rast dhe nuk ka ndikuar në ndonjë ndërrim të madh kombëtar të them ashtu siç ndodhi me vetësakrifikimin e familjes legjendare të Jasharëve të Prekazit, ku bashkimi i shqiptarëve në krah të UÇK-së mori përmasa “biblike”. Prandaj edhe si krahasim hiperbolik mendoj se nuk qëndron për arsyet që i thash. Pavarësisht nga kjo, parë në aspektin letrar, veprës ia shton vlerat dhe nuk e dëmton atë.

Meqë është një rregull e pashkruar se mund ta vlerësosh një vepër letrare vetëm mbi atë se çka është shkruar e jo atë që nuk është shkruar, këtu dua të dal mbi atë “rregull”. Dy gjëra më kanë ngelur peng në shpirtin tim nga kjo vepër e bukur. E para: duke qenë që lufta e UÇK-së është tani një nga vlerat më të mira të popullit tonë, me qenë se ajo shumë herë i ka dalur popullit në ndihmë dhe e ka ndihmuar edhe në largim dhe strehim, po thuaj se  nuk përmendet asgjëkundi ose shumë pak, bile edhe atëherë kur përmendet njëherë me konotacion pozitiv dhe njëherë me atë negativ: “Ishte koha kur kontributi jepej si nga ata që i shtrëngonin gishtin këmbëzes, po aq edhe nga të tjerët që nuk tregoheshin dorështrënguar kundrejt tyre…” , “Ku ishte drejtësia? Katërqind burra në mes të livadhit ishin korrur, e nga malet askund një e shtënë për be. Katërqind burra në mes të fushës ishin masakruar, e nga qielli asnjë rrufe”. Thirrje kritike ndaj atyre ku e kishin shpresën, në UÇK-ë dhe në zot. E dyta, dihet që makineria e ushtrisë dhe e intelegjencës serbe moti iu kishte vërsulur njërës nga levat kryesore që mbante me shpresë popullin shiptar se një ditë do të triumfojë mbi pushtuesin serb, intelegjencës së Kosovës. Intelegjenca shqitare gjithmonë ka qenë cak i sulmeve të pushtetit serb, që nga burgosja e A. Demaçit dhe vrasjes së Fazli Grajçevcit e përpjetë deri të ekzekutimi dhe masakrimi me gjithë familjen i poetit humanist Ymer Elshanit, avokatit Bajram Kelmendi me t’bijtë, prof. Fehmi Aganit dhe intelektualit më të papërkulur Ukshin Hoti. Unë do t’i quaj mungesa të kësaj vepre letrare sepse autori ka mundur që të gjej vend dhe janë pjesë e pandashme nga ajo histori për të cilin flet libri. Vet librit do t’i kishin dhënë edhe më shumë vlerë në sytë e lexuesit tonë por edhe më shumë për atë të huaj.

IV

PËRFUNDIM

Duke qenë i bindur që vepra letrare ka një qëllim, dhe autori përmes këtij qëllimi dëshiron të ndikojë, ne këtë do ta quajmë porosi. Andaj cila është porosia e romanit “Parajsa artificiale”?

Duke u nisur që nga titulli shohim se autori nisur nga vizioni i një të ardhmeje, që veç sot po përjetojmë hapat e parë, të një intelegjence tjetër, bota jonë do të ndryshojë rrënjësisht duke filluar nga besimi, me të cilin njerëzimi që mijëra vjet e ka si pjesë të jetës së vet e deri të arritjet më të paparshikuara si ai “pushtimit” të planeteve tjera.

Po romani i AG Apollonit, çfarë na porosit?

Si të romanet që jemi mësuar duke lexuar për luftërat e ndryshme, porosia e parë është porosia e paqes. Por këtu te Ag Apolloni bashkë me porosinë e paqes e kemi edhe porosinë e mosharresës, madje e theksuar shumë përmes personazhit të nënë Ferdonijes e cila disi gjen një paqe nga momenti kur shtëpia e saj kthehet në muze. Ajo beson se edhe pas vdekjes së saj, kujtimi për djemtë dhe bashkëshortin do të mbesin në kujtesën e njerëzve. Kjo është simbolika e të gjitha masakrave që janë bërë anë e kënd Kosovës. Një porosi tjetër e nxjerr unë, atë politike. Kosova duke qenë që edhe pas 20 vjet pas luftës e sanksionuar, bile edhe nga disa vende të BE-së, duke mos ia njohur pavarësinë aq të merituar, aq edhe më keq, duke mos dënuar Sërbinë për ato që ka bërë në Bosnjë e Kosovë, as ekonomikisht as politikisht, përkundrazi duke e ledhatuar dhe duke ia hapur krahët dhe dyert, edhe pse ajo nuk do, nuk është e gatshme, e as nuk do të jetë edhe atëherë kur do të bashkohet, do të jetë si KAL TROJE, nuk po mundet ta ngre zërin si do të duhej, për shkak të duarve të lidhura. Atë detyrë duket se ia ka vënë vetit Ag Apolloni që porosinë e nënave Pashkë e Ferdonije me anë të këtij romani harresën ta kthejë në kujtesë të përgjithëmonshme.

Bad Buchau

17.05 2025

                           

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hugo Ekitike mezi pret të përballet me konkurrencën e fortë…