Dy shqiptarë në Zvicër akuzohen për financim të IS*S-it dhe korrupsion në Kosovë

21 tetor 2025 | 23:30

Gazeta zvicerane 24heures.ch, ka publikuar një artikull mbi dy shqiptarë – një nga Kosova dhe një nga Maqedonia e Veriut – që jetojnë në Zvicër dhe dyshohen për mbështetje dhe financim të një grupi të afërt me Shtetin Islamik në Kosovë.

Sipas shkrimit, hetimi ndaj tyre është në fazën përfundimtare dhe konsiderohet ndër më të mëdhenjtë kundër terrorizmit në Zvicëe vitet e fundit.

Të dy të dyshuarit, të moshës rreth 30 vjeç, po mbahen prej tre vitesh në një burg në kantonin Vaud dhe rrezikojnë deri në 10 vjet burg për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste”.

Gjykimi i tyre pritet të zhvillohet në Gjykatën Penale Federale në Bellinzona më 3 dhe 4 nëntor.

Njëri prej të dyshuarve, një kosovar 37-vjeçar nga lagjja Lignon në Gjenevë, thuhet se ka udhëhequr degën e një grupi të quajtur “Vëllezërit e Gjenevës” që nga viti 2015, si pjesë e një organizate më të madhe në Kosovë, “Vëllezërit e Vitisë”.

Aktakuza e përshkruan këtë grup si ideologjikisht të afërt me Shtetin Islamik, me orientim “salafi-xhihadist”. Në Gjenevë, grupi kishte mbledhur rreth tridhjetë ndjekës dhe kishte kontaktuar të rinj për t’u bashkuar, përfshirë edhe një 14-vjeçar.

Grupi thuhet se ka sjellë në Zvicër disa imamë radikalë shqipfolës, përfshirë Rexhep Memishin, i cili kishte shërbyer si mentor ideologjik edhe gjatë kohës së burgimit në Maqedoninë e Veriut, dhe Qëndrim Jashari, i cili lexonte tekste të Shtetit Islamik gjatë takimeve.

Pavarësisht se numri i anëtarëve ishte i vogël, më pak se dhjetë, “Vëllezërit e Gjenevës” vepronin me strukturë të fortë, seanca të rregullta dhe disiplinë të plotë fshehtësie. Hetimet ndaj tyre nisën para disa vitesh dhe në vitin 2021 u përdorën mikrofonë në makinat e të dyshuarve për të mbikëqyrur aktivitetin e tyre.

Prokuroria argumenton se “Vëllezërit e Gjenevës” dhe homologët e tyre kosovarë formonin një organizatë të vetme terroriste, që kishte fshehur armë dhe fishekë në Kosovë me qëllim krijimin e një shteti islamik të imponuar me forcë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova për ndonjë akt konkret dhune nga grupi.

Një tjetër funksion i grupit në Zvicër ka qenë financimi i grupit binjak në Kosovë.

Midis viteve 2016 dhe 2022, ata dyshohet se kanë transferuar 64 mijë deri në 78 mijë euro, pjesërisht për blerje armësh dhe pjesërisht për të korruptuar prokurorë kosovarë që të lehtësonin dënimet për anëtarët e grupit të Shtetit Islamik.

Përveç kësaj, të dy të dyshuarit thuhet se e kishin vetëfinancuar grupin përmes kuotave mujore, fondeve të mbledhura në takime, mashtrimeve me sigurimet shoqërore, aksidenteve të inskenuara dhe kredive Covid-19 me të ardhura të fryra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se…