Dy të arrestuar për vjedhjen e bujshme të bizhuterive mbretërore në Muzeun e Luvrit në Paris
Dy persona janë arrestuar lidhur me vjedhjen e bizhuterive të çmuara nga Muzeu i Luvrit në Paris, sipas mediave franceze.
Prokuroria e Parisit njoftoi se njëri prej tyre u ndalua teksa po përgatitej të nisej me një fluturim nga Aeroporti Charles de Gaulle. Artikuj me vlerë rreth 88 milionë euro (102 milionë dollarë) u vodhën të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me mjetet elektrike depërtuan në muze në dritë të ditës.
Ministria e Drejtësisë franceze pranoi se protokollet e sigurisë “dështuan”, duke lënë vendin me një “imazh të tmerrshëm” ndërkombëtar.
Sipas raportimeve, identifikimi i njërit prej të dyshuarve erdhi përmes ADN-së së gjetur në vendin e ngjarjes. Hajdutët lanë pas disa sende, përfshirë doreza dhe një xhaketë reflektuese. Ndër të tjerat, ata lanë një kurorë që dikur i përkiste Perandores Eugenie, bashkëshortes së Napoleon III.
Hajdutët mbërritën në muze rreth orës 09:30, pak pasi u hap për vizitorët. Ata përdorën një ngritës mekanik të montuar mbi një automjet për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Senë. Dy prej tyre depërtuan duke prerë dritaren me mjetet elektrike, kërcënuan rojet dhe thyen qelqin e dy vitrînave ku ruheshin bizhuteritë.
Raportet paraprake tregojnë se një në tre dhoma në zonën e muzeut të sulmuar nuk kishte kamera CCTV, duke lehtësuar punën e hajdutëve. Sipas policisë franceze, vjedhësit qëndruan vetëm katër minuta brenda dhe u larguan me dy skuterë që i prisnin jashtë në 09:38.
Drejtori i Luvrit ka pranuar për senatorët francezë se kamera e vetme që monitoronte murin e jashtëm të muzeut, aty ku ndodhi depërtimi, nuk shihte ballkonin e katit të parë që çonte në Galerinë e Apollonit. Sistemi i kamerave ishte i vjetër dhe i dobët, gjë që bëri të pamundur që stafi të parandalonte grabitjen.
Mes bizhuterive të vjedhura janë kurora e Perandores Eugenie, gjerdani Marie-Louise dhe një palë vathësh, nga gjithsej tetë objekte të çmuara. Ekspertët paralajmërojnë se bizhuteritë mund të jenë ndarë tashmë në qindra pjesë, duke i bërë pothuajse të pamundura për t’u gjurmuar. Arti i shkrirjes së arit dhe argjendit dhe prerja e gurëve të çmuar mund të bëhet jashtëzakonisht e vështirë për identifikim, tha detektivi holandez i artit, Arthur Brand, për BBC-në.
Pas ngjarjes, masat e sigurisë janë ashpërsuar në institucionet kulturore franceze. Luvri ka transferuar disa prej bizhuterive më të çmuara në Bankën e Francës, ku do të ruhen në sefin më të sigurt, 26 metra nën tokë, në qendër të Parisit.




