
Dy të mbijetuarit nga aksidenti tragjik në Pejë, në gjendje të rëndë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Treboviq të Pejës, ku një vetaksident trafiku ka përfunduar me pasoja fatale për një të mitur dhe lëndim të rëndë për dy të tjerë.
Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi më 2 korrik 2025 rreth orës 00:00, kur një automjet tip “Renault Clio” me ngjyrë të gjelbër, i cili dyshohet se po drejtohej nga një 15-vjeçar me inicialet D.L., ka dalë nga rruga në hyrje të fshatit Treboviq, në aksin Pejë-Trestenikë.
Hetimet e para tregojnë se drejtuesi i mjetit nuk kishte arritur të përshtaste shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke humbur kontrollin dhe u përplas me pjesën ballore të automjetit në një shtyllë betoni në hyrje të një oborri.
Pasojat ishin tragjike: një nga pasagjerët, me inicialet M.N., rreth 15-vjeçar, humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërsa pasagjeri tjetër F.M., rreth 16-vjeçar dhe vetë shoferi D.L. u dërguan me urgjencë në QKUK, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lidhur me gjendjen e tyre, Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e Klininës Emergjente në QKUK, Naser Syla i cili tha se të dy janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Për gjendjen e tyre shëndetësore ka folur për Sinjalin drejtorin i Klininës Emergjente në QKUK, Naser Syla.
“Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, vazhdon trajtimi,” tha Syla.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga Njësiti i Trafikut Rajonal në Pejë.