
Dy vjet nga agresioni i Serbisë kundër Kosovës, Reka: Vazhdon heshtja në institucionin kryesor botëror për ruajtjen e paqes
Sot (e mërkurë) janë bërë dy vjet nga agresioni i Serbisë kundër Republikës së Kosovës, ku në Banjskë kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Me këtë rast, shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, ka thënë se edhe pse kanë kaluar dy vjet nga ky agresion është duke vazhduar heshtja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili është institucioni kryesor botëror për ruajtjen e paqes.
Më tutje, Reka në ka thënë aleati i Aleksandër Vuqiqit, kryekrimineli përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, Millan Rajdojçiq shëtit i lirë në Serbi, “kurse kreu i këtij shteti, mban ligjërata për ‘paqen’ në organizatën botërore”.
“Dy vite pas agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, vazhdon heshtja në institucionin kryesor botëror për ruajtjen e paqes.
Çuditërisht, mblidhej urgjentisht për ndalimin e qarkullimit të monedhës së një shteti të huaj në një shtet tjetër, por jo edhe për sulmin e armatosur të një shteti kundër një shteti tjetër. Aleati i Vuqiqit, kryekrimineli përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, shëtit i lirë në Serbi, kurse kreu i këtij shteti, mban ligjërata për ‘paqen’ në organizatën botërore. Kur diplokracia hesht për kërcënimin e paqes, stabilokracia flijon demokracinë për autokraci”, ka shkruar Reka në “Facebook”.