Dy vjet nga dhuna në Zveçan, më shumë se 90 ushtarë të KFOR-it ishin lënduar

29 maj 2025 | 13:56

Teksa Policia e Kosovës thotë se situata aktuale në veri të vendit, dy vjet pas dhunës mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it është “e qetë, por delikate” dhe se “shumëçka ka ndryshuar për mirë”, banorët serbë të kësaj zone thonë se situata nuk ka qenë kurrë më keq.

Personat me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë e përshkruan jetën e tyre pas majit të vitit 2023 si krejt të ndryshme, duke e cilësuar atë muaj si “pikë kthese”, kur nisi mbyllja e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Kosovë.

Më 29 maj 2023, në Zveçan ndodhi një përleshje e dhunshme mes protestuesve serbë dhe trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Protesta ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me thirrje të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Si rezultat, në krye të komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok –erdhën kryetarë shqiptarë.

Nga përplasjet në Zveçan mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it që ishin të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan në Serbi dhe aktualisht nuk janë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë.

KFOR-i e cilësoi sulmin ndaj pjesëtarëve të tij si “të paprovokuar dhe plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit në dhunë të “ndiqen urgjentisht penalisht”. Ky mision ndërkombëtar shprehu gjithashtu shpresën se edhe autoritetet në Serbi po hetojnë personat që u kthyen atje pas trazirave.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informata nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria për numrin e personave të ndjekur penalisht deri tani dhe për ndonjë proces në vazhdim lidhur me sulmin ndaj KFOR-it, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Ajo që dihet publikisht në Kosovë është se më shumë se dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me dhunën në Zveçan. Disa janë dënuar me rreth një vit burg, pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Meqenëse u është llogaritur koha e qëndrimit në paraburgim, këta persona tashmë janë në liri, ndërsa të tjerë janë mbrojtur në gjendje të lirë.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse drejtësia serbe ka hapur apo po zhvillon ndonjë hetim për rastin e sulmit ndaj KFOR-it.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë kujton se më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan ndodhi, siç e përshkruan ai, një “luftë e vogël”. Por, sipas tij, sot situata është “krejtësisht ndryshe”. “Gjendja është ende delikate për shkak të aspektit politik, por është e qetë”, thotë Elshani. Ai thekson se Policia e Kosovës tani ka “kontroll të plotë” mbi sigurinë në veri dhe se nuk ka më “grupe të armatosura” që punojnë për destabilizim.

Më 29 maj 2023, në turmën e protestuesve serbë kishte edhe persona me maska, të cilët u përfshin në përleshje me ushtarët e KFOR-it duke përdorur shok-bomba, koktej molotovi dhe mjete të tjera të forta.

Shkrimi i plotë:

https://www.evropaelire.org/a/dy-vjet-dhuna-ne-zvecan-/33427852.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni që sapo u mbyll nuk ishte nga më pozitivët…