Dyshime për keqpërdorim votash, Prokuroria nis hetimet edhe në Obiliq
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës në Prishtinë për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe në Komunën e Obiliqit.
“Me datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Më tej është thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.



