
Dyshime për manipulim tenderi në QKUK: Kompania që ofertoi rreth 300 mijë euro më shtrenjtë, shpallet fitues i tenderit
Për disa muaj me radhë, brenda QKUK-së ka pasur shqetësime në lidhje me procesin e dhënies së tenderit për furnizim me pajisje të dializës. Përpos problematikave të shumta që janë raportuar me detajet e mjeteve në këtë proces, po ashtu dyshime serioze ka edhe për operatorin ekonomik që ka fituar këtë tender.
Tash, tre muaj më pas, operatori ekonomik më i shtrenjtë është përzgjedhur si furnizues për këto pajisje shumë të rëndësishme të hemodializës.
“Shqëtesimet tona të ngritura më: 13/05/2025 në lidhje me lëndën e cekur u treguan të vërteta ku autoriteti kontrakutes: QENDRA KLINIKE UNIVERSITARE E KOSOVES – e shpërblen me kontratë ofetuesin më të shtrenjtë Medi Health LLC me çmim ofertues: 843,750Euro. Ky ofertues është më i shtrenjtë se ofertuesi më i lirë në këtë tender për: 259,245 Euro”, kanë treguar burimet.
Pra, operatori ekonomik që është përzgjedhur nga QKUK-ja për këtë shërbim kushton 843 mijë euro, ndërsa operatori më i lirë ka bërë ofertë për 584 mijë euro. Ky vendim për dhënien e tenderit është nënshkruar të mërkurën më 13 gusht.
“Sipas informatave që kemi ofertuesi më i lirë ka ofertuar produkt kualitativ nga prodhuesi amerikano-gjerman Fresenius ku me një kilikim të thjeshtë shihet qartë se ky është prodhuesi me i madh botëror i makinave dhe materialeve shpenzuese për hemodializë, dhe i njëjti prodhues në QKUK eliminohet si i papërgjegjëshëm”, thonë më tej burimet.
Në këtë situatë shqetësuese, burimet brenda QKUK-së ftojnë prokurorinë të merret seriozisht me këtë çështje ku shihet qartë manipulimi dhe favorizimi i një operatori ekonomik.