Dyshimet se pllakat nuk janë “italiane” siç i kërkonte Komuna e Prishtinës – Kompania ‘Flamuri V’ ua fsheh ambalazhin “Made in Kosova”

04 gusht 2025 | 13:37

Kompania që ka fituar kontratën për shndërrimin në shesh të rrugës “Rexhep Luci” në Komunën e Prishtinës, Flamuri V, ka shtuar dyshimet me një veprim që ka bërë pas raportimeve për mospërputhje të pllakave “travertinë italiane”, siç kërkohej në specifikat e dosjes së tenderit nga komuna e udhëhequr nga Përparim Rama. Ata kanë larguar pllakat nga qeset që tregonin se pllakat janë marrë nga “Fabrika e Gurit” në Malishevë.

Në kontratën për “Rekonstruimin e rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha”, janë parashikuar 3,758 metra katrorë pllaka “Travertinë Italiane” me vlerë prej rreth 244,000 euro, vetëm për rrugën “Rexhep Luci”.

Në kërkesat specifike të dosjes së tenderit kërkojnë që origjina e tyre të jetë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, pak ditë më parë, mediumi Demokracia ka publikuar disa fotografi që tregojnë paketimet e pllakave të magazinuara në hapësirat e punishtes, ku shfaqet etiketimi “Fabrika e gurit” nga Kijeva e Malishevës, me përshkrimin “Made in Kosova”, duke ngritur dyshime për përputhshmërinë e materialeve të përdorura.

Ani pse në to shkruan edhe ‘travertin” prodhuesi shkruan që është Kosova, dhe nuk dihet asgjë për origjinën.

Lidhur me këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kompaninë kontraktuese, Flamuri V Sh.P.K për ta pyetur nëse pllakat që po shtrohen në rrugën që po destinohet të shndërrohet në shesh janë në përputhje me kërkesat specifike të dosjes së tenderit. Ata në një përgjigje për mediumin kanë thënë se janë në përputhshmëri të plotë me atë që po kërkon Komuna e Prishtinës dhe se kjo e fundit i ka inspektuar ato.

“Ju njoftojmë që produkti i cili përdoret në këtë projekt është në përputhje të plotë me specifikat teknike të kontratës. Si dhe ju njoftojmë se inspektimet e materialeve dhe punimeve bëhen në mënyrë të vazhdushme nga A.K“, thuhet në përgjigjen e Flamuri V SH.P.K.

Gazeta Insajderi për të njëjtën çështje ka provuar tash e një javë të marr një përgjigje nga Kouna e Prishtinës, por e njëjta s’është përgjigjur në pyetjet e mediumit.

Përkundër përgjigjes së kompanisë, një veprim që kanë bërë nga kjo kompani që po punon në rrugën “Rexhep Luci” ka shtuar më tej dyshimet. Insajderi ka inspektuar atë pjesë, ku ka vërejtur se pllakat në fjalë janë vendosur në disa qese të ambalazhuara me emrin e firmës fituese të tenderit:

Kompania Flamuri V SH.P.K parashihej që këtë rrugë ta kryente përbrenda 120 ditëve pune. Punimet në rrugën “Rexhep Luci” kanë nisur nga nëntori i vitit të kaluar, teksa nga kjo firmë kanë insistuar për Insajderin para një jave se s’ka arritur as tek dita e 100-të.

“Ju njoftojmë kompania “Flamuri V” Sh.P.K. që nga momenti i nënshkrimit të kontratës me Komunën e Prishtinës, ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të realizuar projektin në përputhje të plotë me kontratën e nënshkruar. Ne jemi brenda planit dinamik dhe ende nuk kanë kaluar 120 ditë punë nga kontrata bazë. Aktualisht nuk kemi arritur as te dita e 100 e punimeve. Ky fakt mund të argumentohet lehtësisht përmes dokumenteve teknike te projektit“, thuhet në përgjigjen e dhënë para një jave nga firma fituese e tenderit.

Bizneset të cilat janë prekur si shkak i ndërtimit të kësaj rruge në kushte anonimiteti kanë deklaruar për Gazetën Insajderi se nga kjo kompani ishin zotuar se punimet do t’i përfundonin në mars të këtij viti.

Në adresë të mediumit po ashtu kanë ardhur pamje që kanë ngritur shqetësimin për shëndetin publik që po cenohet në atë rrugë. Po ashtu, siç shihet nga punimet po pluhuroset edhe inventari i gastronomisë dhe objekteve përreth.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Shtypeni UÇK-në për botën serbe:…