Dyshohet për kanosje mes kandidatëve në Vushtrri – policia konfirmon rastin
Një incident i dyshuar për kanosje është raportuar sot rreth orës 17:30 në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Rastin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas informacioneve fillestare, rasti lidhet me një kanosje që dyshohet se përfshin kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli, dhe kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi.
“Sot rreth orës 17:30 është pranuar informata për një kanosje në rrugën Xhorxh Bush në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka arritur në vendin e ngjarjes. Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen,” ka deklaruar për Periskopin zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana.
Policia ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive eventuale, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar persona të arrestuar.



