
Dyshohet se keqpërdori mbi 8.8 milionë euro, lirohet zyrtari i lartë shtetërorë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar ndaj Lulzim Bajramit, zyrtarit të prokurimit në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME).
Pas dy ditësh ndalimi me urdhër të një prokurori special, i dyshuari për kurdisje të tenderëve në një vlerë mbi tetë milionë euroshe është lënë i lirë të enjten. Lajmin e ka bërë të ditur Ahmet Tahiri, avokati mbrojtës i të dyshuarit.
“Është liruar”, është cituar të ketë thënë avokati Tahiri në një deklaratë për Express të enjten.
Seanca paraprake ndaj Bajramit, të dyshuar për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’, është zhvilluar në kushte jo fort të zakonshme. Për shkaqe të mungesës së energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë, seanca është mbajtur në zyrën e gjyqtarit, jo në sallën e gjyqit siç ishte planifikuar.
Lulzim Bajrami, baxhanak i Xhafer Tahirit, kandidatit të LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, u arrestua të martën bashkë me dy të tjerë në një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Policia tha se Krimet Ekonomike kanë siguruar prova që mundësojnë dyshimin se Bajrami, në cilësinë e zyrtarit të prokurimit në AME – një agjenci që operon nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) – “ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar”.
“Vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro”, tha Policia në një komunikatë kumtuese për operacionin të martën.
Rasti bie nën kompetencat e hetimit të Prokurorisë Speciale.
Me urdhër të prokurorit special të rastit, Bajrami shkoi të martën në ndalim prej 48 orësh.
Prokuroria Speciale i kërkoi Gjykatës të mërkurën që ndaj të dyshuarit të caktohej masa e sigurisë së ndalimit për t’ju afruar vendit të tij të punës, Agjencisë për Menaxhim Emergjent.