Dyzetë minutat e paharrueshëm për Haxhi Zekën

06 maj 2018 | 13:39

Haxhi Zeka pa dyshim se ka qenë lojtari më i mirë në futbollin e Kosovës prej përfundimit të luftës. Zeka të enjten, pas katër vjetësh në pension, iu rikthye fushës së gjelbër për ta ndihmuar Besës të mos bjerë nga Superliga, por ky rikthim nuk ka rezultuar i suksesshëm, prandaj dyzetë minutat nga Flamurtari do të mbesin të pashlyer në kujtesën e ikonës së futbollit pejan.

Legjenda e futbollit të Kosovës, Haxhi Zeka, në moshën 44-vjeçare është rikthyer nga pensionimi, me synim që ta ndihmojë Besën të mos bjerë nga Vala Superliga e Kosovës në Futboll, por mundi i ikonës së Besës ka shkuar huq, sepse skuadra pejane pësoi humbje nga Flamurtari me rezultat 0-4 dhe tashti është tri pikë pas kësaj skuadre në renditjen tabelore. “Kundër Flamurtarit u riktheva dhe luajta dyzetë minuta, duke mos u vërejtur nga futbollistët e tjerë. Asnjëherë nuk kam kursyer kur ka qenë klubi në pyetje dhe rikthimi im ndodhi për shkak të klubit, por pësuam humbje dhe tash e kemi të vështirë, mos të them të pamundur, mbijetesën. Gjatë karrierës sime kam refuzuar oferta të ndryshme, pasi nuk kam mundur kurrë t’ia rikthej shpinën klubit”, ka thënë Zeka për “Epokën e re”.

Dyzetë minutat në ndeshjen kundër Flamurtarit, Haxhi Zeka nuk do t’i harrojë kurrë, pasi janë të fundit në karrierën e tij të futbollit, kur Besa i humbet shpresat për ta siguruar edhe pozitën e barazhit. Sulmuesi legjendar ka thënë se në tri ndeshjet e fundit nuk do të paraqitet në fushë, por vetëm në bankinë si ndihmëstrajner. “Gjithçka ka përfunduar për mua. Sikur të isha pyetur edhe kundër Flamurtarit nuk do të isha inkuadruar, por trajneri kërkoj një gjë të tillë dhe nuk e refuzova. Kur jam inkuadruar unë, rezultati ishte 0-2 dhe ishte e vështirë për të ndryshuar diçka. Pas kësaj ndeshje isha shumë i mërzitur, pasi Besa po bie për herë të para nga Superliga”, ka deklaruar ai.

Në fund, Zeka ka thënë se rënia e Besës është e rëndë për secilin dashamirës të futbollit jo vetëm në Pejë, por në gjithë Kosovën. “Kur një klub me traditën dhe sukseset e Besës bie nga Superliga, atëherë është e dhimbshme jo vetëm për qytet, por për të gjithë qytetarët e vendit. Të gjithë ishim të mërzitur pas ndeshjes me Flamurtarin, por këto gjëra ndodhin në futboll dhe tash duhet të shikojmë nga e ardhmja”, ka përfunduar Zeka, raporton “Epoka e re”.

Besa në këtë edicion është përballur me probleme të mëdha si në shtabin teknik, me kushte të vështira financiare, deri te fondi i varfër i futbollistëve. Ndërkaq, tri ndeshjet e fundit që ky klub pritet t’i zhvillojë në elitë janë: kundër Trepçës ’89, Vllaznisë së Pozharanit dhe Llapit.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëzetetre (23) minatorë kanë vdekur dhe 11 të tjerë janë…