E ardhmja e Endrick e paqartë, Reali ende s’ka marrë vendimin për të
Talenti brazilian, Endrick bëri paraqitjen e tij të parë për Real Madridin pas 167 ditësh mungesë, gjatë fitores bindëse 4-0 të së shtunës ndaj Valencias.
Sulmuesi 19-vjeçar hyri në lojë në minutën e 80-të, duke zëvendësuar Kylian Mbappen, dhe pati menjëherë ndikim në krahun e djathtë, ku fitoi një goditje dënimi të rrezikshme pas një aksioni të shpejtë personal.
Megjithatë, pavarësisht rikthimit të tij në fushë, e ardhmja e menjëhershme e Endrick në “Santiago Bernabéu” mbetet e pasigurt.
Sipas raportimeve të fundit, Olympique Lyon po shqyrton mundësinë e një huazimi në janar, për t’i ofruar sulmuesit më shumë minuta loje përpara Kupës së Botës.
Burime të Marcas pranë lojtarit bëjnë të ditur se Endrick është i hapur për këtë mundësi, nëse ajo garanton aktivizim të rregullt.
Nga ana tjetër, Real Madridi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, sipas raportimeve të The Athletic, klubi po e monitoron zhvillimin e lojtarit dhe mund të vendosë në javët e ardhshme nëse një huazim do të ishte zgjidhja më e mirë për fazën e tij të rritjes.
Endrick u bashkua me Real Madridin nga Palmeiras në vitin 2022, në një marrëveshje me vlerë 35 milionë euro, plus 25 milionë euro të tjera në formë bonusesh të mundshme.



