
E drejta për jetë dhe e drejta për drejtësi
Reagim i KMDLNj-së
Përfundimi tragjik i Agon Zejnullahut në Lipjan, me të drejtë shkaktoi pakënaqësi dhe indinjatë prandaj pati reagime të shumta. Kërkohej përgjegjësi për policët e implikuar në këtë rast të rëndë sikur që kërkohej përgjegjësi politike dhe institucionale të atyre që realisht edhe kanë përgjegjësi. IPK-ja fillimisht suspendoi 5 policë e që pas reagimit të opinionit iu caktua ndalimi policor prej 48 orëve që pastaj, me vendim të gjykatës iu caktua masa e paraburgimit 5 policëve. Si përgjigje ndaj përgjegjësisë institucionale, vetëm komandanti i stacionit policor në Lipjan dha dorëheqje apo u shkarkua.
Dhe këtu, deri më tani mori fund përgjegjësia politike apo institucionale. Reagimi i opinionit dhe medieve ishte kryesisht kundër 5 policëve e që lë për të dyshuar se edhe vendimi për caktimin e masës së paraburgimit është si rezultat i reagimeve dhe presionit të madh. Nëse nisemi nga parimi se përgjegjësia është personale atëherë, në bazë të incizimeve duket qartë se si shkuan gjërat dhe se kush ka përgjegjësi konkrete për përfundimin tragjik të Agon Zejnullahut. Një rast jashtëzakonisht i rëndë ndodhi në stacionin policor në Therandë ku një i privuar nga liria, në rrethana të pasqaruara për publikun bëri vetëvrasje pas së cilës u suspenduan disa zyrtarë policorë. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria ndodhi edhe në Klinë kur një qytetar i prangosur u keqtrajtuar nga policë ndonëse ishte neutralizuar dhe nuk përbënte rrezik për askënd.
Për të tri rastet KMDLNj-ja ka reaguar duke kërkuar hetime si parashihen me ligj dhe , duke kërkuar të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë, si e drejtë e njeriut që rregullohet me ligj. Duhet të vlerësohet shumë puna e mediave për bërjen publike të këtyre rasteve mirëpo, në të njëjtën kohë KMDLNj-ja e kundërshton përpjekjet e të gjithë atyre që duan të përfitojnë politikisht, për promovine personale, publicitet apo qëllime tjera. Përgjegjësia ligjore përcaktohet pas përfundimit të hetimeve dhe një procesi të drejtë gjyqësor, me një vendim të formës së prerë të gjykatës përkatëse andaj çdo ndërhyrje paragjykuese vetëm sa i pengon hetimet dhe vendimmarrjen gjyqësore të mbështetur në prova.
KMDLNj-ja ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe nuk pajtohet me përgjithësimin e përgjegjësisë kur përgjegjësia është individuale. Policia e Kosovës, përkundër kushteve të vështira, ka bërë punë shumë të mira prandaj nuk mund të pranohet cilësimi se nga heronj janë bërë dhunues brutal. Thjesht, kjo nuk është e vërtetë dhe nuk përkon me realitetin. Ndërkaq, sa i përket përgjegjësisë politike dhe institucionale , për rastet e fundit përgjegjësia politike është 100 për qind te Ministria për Punë të Brendshme ndërkaq përgjegjësia institucionale është te zinxhiri komandues dhe mekanizmi mbikëqyrës.
KMDLNj-ja e informon opinionin se çdo shkelje që bëhet në ndalimin 48 orësh policor, hapësira publike dhe jopublike, i adresohet Policisë së Kosovës që është nën përgjegjësi të Ministrisë për Punë të Brendshme ndërsa shkeljet që bëhen në qendrat e paraburgimit dhe në qendrat korrektuese, adresa e përgjegjësisë është Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe e Ministrisë së Drejtësisë. KMDLNj-ja inkurajon Policinë e Kosovës të mos i nënshtrohet urdhrave të politikës përkatësisht MPB-së që e cenojnë profesionalizmin , pavarësinë operacionale dhe integritetin e Policisë së Kosovës. KMDLNj-ja, gjithashtu inkurajon gjyqësorin të mos marrë asnjë vendim nën presion të askujt për faktin se do të identifikohet si shkelës i të drejtave të njeriut duke mos garantuar hetime të pavarura dhe një proces gjyqësor të drejtë dhe të pandikuar nga politika apo grupet e interesit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në shumë raste ka kërkuar anulimin e vendimeve gjyqësore që janë marrë nën presion të publikut. Në Kosovë kjo thuaja po shndërrohet në standard , rregull.