“E ka tronditur vërtet Gjykatën Speciale”, dokumenti i britanikëve shpaloset para ekspertëve në Hagë (VIDEO)

10 qershor 2026 | 23:51

Gazetari Besnik Tahiri në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka deklaruar se raporti i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) ka shkaktuar reagime të forta në Gjykatën Speciale.

 

Sipas tij, pas publikimit të raportit preliminar në mars, Gjykata Speciale u ka dërguar një komunikim urgjent 27 ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian në Hagë, duke pretenduar se raporti është i njëanshëm në favor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Tahiri bëri të ditur se autorët e raportit do t’ua prezantojnë të gjeturat diplomatëve evropianë dhe amerikanë në një takim të mbyllur në Hagë, ku do të marrin pjesë edhe organizata dhe institucione që merren me drejtësinë ndërkombëtare dhe tranzicionale.

“Raporti i Komitetit të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit për liritë dhe të drejtat e njeriut (BHRC) e ka tronditur vërtet Gjykatën Speciale. Kjo tronditje vjen pasi Gjykata Speciale, menjëherë pas publikimit të raportit preliminar në mars, u ka dërguar një email urgjent 27 ambasadave të shteteve të Bashkimit Evropian të akredituara në Hagë

“Në këtë komunikim të udhëhequr nga kryetarja Ekaterina Trendafilova, pretendohet se raporti mban anën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, prandaj sipas tyre nuk duhet të merret seriozisht pasi është i njëanshëm

“Pavarësisht kësaj, autorët e këtij raporti tashmë të famshëm kanë vendosur që të nesërmen në orën 10:30 t’i paraqesin të gjeturat e tyre para përfaqësuesve të diplomacive evropiane dhe amerikane në një takim hermetikisht të mbyllur. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe institucione e grupacione të specifikuar për drejtësinë ndërkombëtare.”

Tahiri theksoi se më 5 nëntor të këtij viti bëhen plot gjashtë vite që kur krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim, pa u liruar përkohësisht edhe pse procedurat kanë përfunduar.

“Në këtë takim do të jenë prezentë edhe shtete si Zvicra, që është financuese e gjykatës, si dhe institute që merren me drejtësinë tranzicionale në Ballkanin Perëndimor. Raporti, i cili ishte kërkuar nga Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Çelaj, do të dëgjohet drejtpërdrejt nga këta diplomatë, megjithëse nuk do të lejohen kamerat televizive.

Ndërkaq, Tahiri ndër tjerash u shpreh se diplomatët e huaj janë shprehur se po presin me interes t’i dëgjojnë gjetjet nga dora e parë e autorëve britanikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë” në Michigan, Zef Berishaj,…