‘E kanë lënë vetëm’, drejtori i Bayer Leverkusenit kritikon Real Madridin për trajtimin që po i bën Xabi Alonsos
Drejtori i Bayer Leverkusenit, Fernando Carro, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij me mënyrën se si Real Madridi po e trajton Xabi Alonson, duke dërguar një mesazh të qartë mbështetjeje për ish-trajnerin e skuadrës gjermane.
Pas fitores 2-0 të Bayer Leverkusenit ndaj Kolnit, Carro foli për mediat dhe theksoi se Alonso është gjithmonë i mirëpritur për t’u rikthyer në klubin gjerman.
“Gjatë pauzës së ndeshjeve të përfaqësueseve, kalova një fundjavë në Madrid dhe stafi teknik, bashkë me familjen e tij, na vizituan dy herë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Xabin, në fund të fundit, gjatë atyre tre viteve ishim si një familje”.
Carro sqaroi se Leverkuseni nuk i jep këshilla Alonsos për vendimet e tij, por pranoi se klubi do të kishte dashur ta mbante atë më gjatë.
“Nuk e këshillojmë për asgjë. Në atë kohë do të kishim dashur që ai të qëndronte këtu, por e dimë që është një trajner me talent të jashtëzakonshëm, i cili tani gjendet në një kontekst krejtësisht tjetër në Madrid”.
Ai nuk kurseu kritikat ndaj Real Madridit, duke nënvizuar dallimin mes mënyrës se si Alonso trajtohej në Leverkusen dhe asaj që po përjeton aktualisht në Spanjë.
“Nëse presidenti thotë se trajneri është një e keqe e domosdoshme, nëse trajneri lihet i vetëm dhe është gjithmonë ai që merr kritikat, atëherë situata është shumë ndryshe nga ajo që ai përjetoi te Leverkuseni, ku të gjithë tërhiqnim në të njëjtin drejtim dhe trajneri nuk lihej i izoluar politikisht”.
Carro shtoi se Alonso ndodhet tani në një ambient ku suksesi kërkohet pa kompromis dhe çdo dështim ndëshkohet menjëherë. Megjithatë, sipas tij, kontrasti me Leverkusenin është i qartë, pasi atje ekzistonte unitet dhe mbështetje e plotë për trajnerin. /Telegrafi




