E mendonin të vdekur, ushtari ukrainas telefonon nënën nga fronti i luftës
Familja e Nazar Daletskyit ishte e sigurt se ai kishte humbur jetën në luftë. Në vitin 2023, ata kishin kryer varrimin e tij në një varrezë në perëndim të Ukrainës, pas identifikimit të trupit nga një mostër ADN-je. Por ajo që dukej si një tragjedi e përjetshme mori një kthesë të pabesueshme. Nazar, i dobësuar dhe i sëmurë, por i gjallë, telefonoi nënën e tij për herë të parë pas tre vitesh dhe nëntë muajsh, pasi ishte liruar nga robëria ruse në shkëmbimin e fundit të të burgosurve.
“Emocionet e mia ishin kaq të forta”, rrëfeu Nataliya, ende e tronditur nga lajmi i pabesueshëm. Ajo e pyeti në telefon: “Ke të gjitha gjymtyrët e tua? A je mirë?”. Ndërsa kushërira e tij, Roksolana shpërtheu në gëzim duke qarë.
“Ishin ndjenja të çuditshme, sepse unë e kisha varrosur djalin tim, por ja ku është zëri i tij. A mund të imagjinoni emocionet e një nëne? Lumturi e madhe”, shtoi Nataliya.
Historia e Nazarit është veçanërisht e jashtëzakonshme në një vend të shkatërruar nga lufta, ku lajmet e mira janë të rralla. Kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në 2022, Nazar, atëherë 42-vjeçar, u kthye menjëherë në front, pas përvojës së tij nga lufta e vitit 2014. Në maj të atij viti, ai u shpall i zhdukur dhe familja e tij nuk mori lajme zyrtare për gjendjen e tij.
Një vit më vonë, një trup i identifikuar në një morg në juglindje të Ukrainës u tregua si i tij, dhe familja e kishte varrosur me dhimbje. Por në shtator, një ushtar i liruar nga Rusia telefonoi për të njoftuar se Nazari ishte gjallë. Pas muajsh pritjeje dhe dyshimi, lajmi u konfirmua këtë javë kur ushtari foli direkt nga Ukraina.
Nataliya tashmë po përgatit ushqimet e tij të preferuara, kur ai të kurohet dhe të kthehet në shtëpi.
“Shpresoj që të gjitha nënat dhe familjet të marrin një telefonatë si e jona dhe të përjetojnë këtë lumturi”, thotë Roksolana. “Unë vetëm pres të përqafoj djalin tim fort. E dua shumë”, përfundoi Nataliya.



