
E pazakontë! Trump kërkon arrestimin e kryebashkiakut të Çikagos dhe guvernatorit të Illinois
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shkaktuar sërish polemika me një deklaratë të pazakontë në platformën X, ku ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Çikagos, Brandon Johnson dhe guvernatorit të Illinois-it, JB Pritzker.
“Kryetari i bashkisë së Çikagos duhet të jetë në burg për dështimin në mbrojtjen e oficerëve të ICE. Edhe guvernatori Pritzker”, ka shkruar Trump, por pa paraqitur prova konkrete që mbështesin akuzat e tij.
Deklarata vjen në një kohë tensioni të shtuar mes administratës federale dhe autoriteteve lokale, pasi presidenti ka urdhëruar vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e Çikagos, me qëllim, sipas tij, luftimin e emigracionit të paligjshëm dhe krimit në qytetet e drejtuara nga demokratët.
Vendimi është zbatuar pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet lokale dhe shtetërore.
Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, e ka cilësuar këtë veprim si një “marshim autoritar”, duke deklaruar se shteti do të përdorë çdo mekanizëm ligjor për të ndaluar atë që ai e quan një “rrëmbim pushteti” nga administrata federale.
Nga ana tjetër, Trump ka mbrojtur vendimin, duke e quajtur Çikagon një “zonë lufte” pas protestave të fundit kundër zyrtarëve të imigracionit në qytetin e tretë më të madh të SHBA-së.
Thirrja e Trump për të burgosur dy zyrtarët e zgjedhur vjen ndërsa një tjetër rival politik i profilit të lartë, ish-drejtori i FBI-së, James Comey, do të paraqitej në gjykatë për t’u përballur me akuza penale që janë kritikuar gjerësisht si të dobëta.
Trump ka bërë shpesh thirrje për burgosjen e kundërshtarëve të tij që kur hyri për herë të parë në politikë në vitin 2015, por Comey është i pari që përballet me ndjekje penale.
Trump është zotuar të shfrytëzojë pushtetin e qeverisë federale për të synuar armiqtë e tij. Përveç Comey, Departamenti i tij i Drejtësisë po heton disa kritikë të tjerë të profilit të lartë. Të gjithë kanë mohuar shkeljet dhe Comey pritet të deklarohet i pafajshëm për akuzat për gënjeshtër ndaj Kongresit.
Qindra ushtarë të Gardës Kombëtare të Teksasit janë mbledhur në një strukturë të Ushtrisë jashtë Çikagos, pavarësisht kundërshtimeve të Pritzker, Johnson dhe udhëheqësve të tjerë demokratë në shtet.
Trump ka kërcënuar të vendosë trupa në më shumë qytete të SHBA-së, të cilat ai tha javën e kaluar se mund të shërbejnë si “fusha stërvitjeje” për forcat e armatosura.