“E vrau BIA serbe, drejtësia po e vret për herë të dytë me heshtje” – vëllai i Qerim Kelmendit, i zhgënjyer pas 6 vitesh pa epilog

15 janar 2026 | 09:48

Kanë kaluar gjashtë vite që kur ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij, por drejtësia mbetet ende në pikën zero. Insajderi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale për të kërkuar informacione mbi ecurinë e hetimeve, por tash e 10 ditë, ky institucion ka zgjedhur heshtjen.

Më 28 shkurt të vitit 2020, Kosova u trondit nga një krim makabër. Trupi i karbonizuar i Qerim Kelmendit u gjet në orët e para të mëngjesit në fshatin Llabjan të Pejës. Që nga ajo ditë, dosja e tij ka kaluar nëpër duart e disa prokurorëve, por pa prodhuar asnjë autor, asnjë të arrestuar dhe asnjë epilog institucional.

I zhgënjyer me këtë neglizhencë, vëllai i të ndjerit, Man Kelmendi, në një prononcim për Insajderin, ka treguar se familja nuk ka marrë asnjë “sinjal” konkret nga organet e ndjekjes.

“Kanë kaluar gjashtë vite nga nata e 28 shkurtit 2020, dhe për fat të keq, familja jonë nuk ka marrë asnjë informacion të ri, asnjë “sinjal” konkret dhe asnjë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale apo Policia e Kosovës që do të tregonte se hetimet janë duke avancuar drejt zbardhjes së rastit. Heshtja institucionale ka qenë e vazhdueshme dhe e pashpjegueshme”, shpjegoi ai.

Ai ka folur edhe për trajtimin e rastit nga prokurorët ndër vite, duke u shprehur i zhgënjyer nga ta.

“Sa i përket trajtimit të rastit nga Prokuroria Speciale, faktet janë kokëforta: prokurori i parë i caktuar për këtë çështje, z. Haki Geci, e mbajti dosjen për vite të tëra pa asnjë veprim të dukshëm dhe doli në pension pa dhënë asnjë rezultat. Prokurori pasues, z. Shpetim Peci, pas rreth një viti u largua nga Prokuroria Speciale duke dhënë dorëheqje dhe u kthye në Prokurorinë e Mitrovicës”, deklaroi vëllai i Qerimit.

Sipas tij, tash e dy vite rasti është nën përgjegjësinë e një prokuroreje tjetër, por pa ndonjë zhvillim të dukshëm.

“Prej dy vitesh rasti është në kompetencë të prokurores znj. Arbëresha Raça Shala, por deri më tani familja nuk ka parë asnjë zhvillim konkret apo progres të matshëm në hetim“.

Familja Kelmendi ka një qëndrim të prerë lidhur me motivin e vrasjes. Ata besojnë se ekzekutimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së është një eliminim politik i mirëorganizuar.

“Si familje, qëndrimin tonë e kemi bërë publik menjëherë pas vrasjes dhe qëndrojmë ende sot pas tij: ne besojmë se vrasja e Qerim Kelmendit lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij patriotike dhe politike dhe se në këtë vrasje kanë gisht strukturat e ish-UDB-së, sot BIA e Serbisë, në bashkëveprim me rrjete të brendshme dhe me mbështetje propagandistike nga media dhe individë të caktuar që i kanë shërbyer interesave të shërbimeve serbe”, tha ai për Insajderin.

Sipas tij, Qerimi ishte target i persekutimit që nga fëmijëria, duke përfshirë burgosjet dhe torturat nga regjimi jugosllav, gjë që e bën familjen të dyshojë se vrasja ishte vazhdimësi e kësaj përndjekjeje.

Ai u shpreh i bindur se, familja nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.

“Ne nuk kemi parë vullnet serioz institucional për ta zbardhur këtë vrasje. Përkundrazi, kemi përjetuar zvarritje, heshtje dhe neglizhencë, që për një rast të tillë me peshë publike dhe politike janë të papranueshme. Familja Kelmendi nuk do të ndalë së kërkuari drejtësi. Ne kërkojmë vetëm të vërtetën, zbardhjen e plotë të motivit dhe autorëve të vrasjes, dhe përgjegjësi institucionale për dështimet e deritanishme”, tha Man Kelmendi.

Përkundër peshës së rastit, Prokuroria Speciale nuk ka treguar vullnet për të komunikuar me publikun apo me familjen për hapat e ndërmarrë. Insajderi ka pritur 10 ditë për një përgjigje zyrtare, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka marrë asnjë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Idriz Thaçi, vëllai i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka…