Ecejakja në urën lidhëse mes dy gjendjeve

26 shtator 2020 | 20:03

Prof. Josif Papagjoni

Diadramën “Trenat” të Haqif Mulliqit e kisha lexuar kohë më parë, madje edhe kam shkruar për të. Është një dramë që ka ankth përbrenda, përpëlitje shpirtrash në një situatë ekzistencialiste; një jetë e ngritur me dashuri mes një çifti aktorësh, Vinit dhe Venit, por që është tronditur fort nga deportimi i gati një milion shqiptarëve prej gjendocidistëve serbë në Kosovë. E kjo jetë e shkatërruar shndërrohet në burim grindjesh, keqkuptimesh, konfliktesh, rëndom pa kuptim mes tyre. Si strukturë dramaturgjike kjo situatë e sundon veprimin e çastit që shohim në skenë, ndërsa më tutje Mulliqi e kalon veprën në shpresën e një rindërtimi të marrëdhënies së tronditur bashkëshortore, rrjedhimisht edhe të një zgjidhjeje të paqme, të shumëpritur, e projektuar si fund i luftës, si liri e fituar, si pajtim, shpresë e lumturi. Ecejakja në këtë urë lidhëse mes dy gjendjeve, ku e para sundon të dytën dhe e dyta vjen si shpresë e besim drejt “ditës së pritshme” të vetë ardhmërisë së Kosovës pas tragjedisë së pësuar nga pushteti serb, krijon tharmin e veprës nga pikëpamja e procedeut dramatik.

Por po e lë mënjanë analizën letrare të kësaj diadrame. Dua të dal në një ide tjetër, që miqtë e teatrin e kuptojnë më mirë. Shikimi i kësaj shfaqjeje, por në mjedis tjetër dhe, ndofta, në tjetër ngarkesë emocionale, ndonëse e “njëjta”, më tingëlloi “ndryshe”. Kjo më risolli në mendje problemin e madh dhe të përhershëm të raportit midis tekstit dhe performimit skenik. E kisha parë shfaqjen, në mos gaboj në Gjilan, ku sheshi i veprimit ishte vendosur mbi skenë me spektatorët rreth e rreth aktorëve. Dhe pata shkruar diçka për të duke mos rënë dakord me trajtimin aktorial të figurave, ku më dukej se klithej më shumë nga ç’duhej, ku situata shpirtërore e personazheve “dëshmohej” së jashtmi dhe gati na imponohej një lojë e tipit të “fortë”, të “vrazhdët”, me britma dhe ofshame, duke menduar se kësodore, ndofta, do të mund të përcillej edhe më mirë trauma psikike e këtij çifti në krizë. Ndryshe e përjetova këtë shfaqje këtu në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibrën e Madhe, në mjediset e hapura të shkollës SHFK “Sait Najdeni”.

Gati m’u duk se jo vetëm loja e dy aktorëve, Shpëtim Selmanit në rolin e Vinit dhe Rozi Kryeziu në rolin e Venit, por edhe koncepti regjisorial i Zana Durakut ishte modifikuar disi; ishte bërë më shumë kujdes që tashmë idetë dhe vetë trajtimi i tekstit të adresoheshin në një kontekst psikologjik më të besueshëm, më prekës, më konkret dhe më human, pa shumë “poza”, britma, tjetërsime demonstrative, afeksione të jashtme dhe “teatralitet”. Dhe them se kështu i është gjetur porta hyrëse vetë tekstit për të mbërritur tek ai në rrugë më të buta e më të mbrothta. Sepse ky tekst më është dukur i kahes psikologjike. Mulliqi e ka projektuar dramën e çiftit të aktorëve brenda një intimiteti shpirtëror të brishtë dhe kujtesash të ëmbla të dikurshme, që sado i ngarkuar me problematikën e rëndë politike të kohës si dhe me ndoca elemente formale të tipit postmodern përmes “pastishit” (ku brenda tekstit rivitalizohen personazhe dhe vepra të Beckett-it si “Në pritje të Godosë”, “Ah, ditë të lumtura!” dhe të vetë autorit si “Katër epoletat”), gjithsesi ato shërbejnë si pretekste e njëherazi si premisa për rindërtimin e rishërimin e shpirtrave të plagosur, si elemente terapeutike e katarsike njëherazi edhe të Venit, edhe të Vinit.

Falë historisë së këtij çifti artistësh shqiptarë të mbushur me shpresa dikur dhe të gjendur së fundmi në kushtet e egra e diskriminuese të luftës, shfaqja i ka drejtuar sytë e saj më së shumti drejt ankthit dhe traumës njerëzore si të tillë, me vuajtjet e pasojave të luftës, diskriminimit, dhunimit dhe përdhunimit, ku identiteti dhe integriteti moral shpirtëror i njeriut-artist pëson goditje të pamerituara nga faktori politik, çka edhe shkakton krizën e pamerituar mes tyre si burrë e grua. Në këtë sens regjisorja Duraku e ka lëvizur për mbarë tejqyrën e saj konceptuale, për të dalluar e sidomos për t’i dhënë dridhjet e brendshme psikologjike të dy personazheve në një rrafsh mirëbesimi me publikun. Pikërisht këtu e pashë ndryshimin e shfaqjes nga njëri mjedis në tjetrin. Dhe e di se kjo kushtëzohet fort edhe nga sheshi skenik se ku shfaqja jepet. Më ngjan se në oborrin e shkollës “Sait Najdeni” vetë loja e aktorëve, hapësira e veprimit u rimodeluan. Më mbresoi loja e Shpëtim Selmanit, që kësaj here m’u duk më “psikologjik”, më i brendshëm, më i vërtetë.

Të gjitha bëhen bashkë në ndjeshmëritë e dy personazheve kundruall njëri-tjetrit

Veni dhe Vini janë një çift artistësh të dashuruar dhe presin me ngazëllim frytin e tyre, foshnjën e shumëdëshiruar. Por situata befasisht ka ndryshuar: nga ngazëllimi ajo është bërë premisë frike, dëshpërimi dhe mosbesimi. Për ta shpëtuar foshnjën e tyre të pritshme ata kanë paguar ushtarët serbë që të hipin në një tren e të deportohen diku në Maqedoni, për t’i shpëtuar një dështimi të mundshëm të lindjes së fëmijës. Por të mbetur diku të dy përjetojnë dhunën serbe. Veni ndonëse shtatzënë përdhunohet nga ushtarët, dhe kjo krijon çarjen e fortë mes tyre. Marrëdhënia mbingarkohet dhe lëviz në disa hulli: mëri, xhelozi, pikëllim, vuajtje, përdëllim, falje, dashuri, frikë, përkushtim. Të gjitha sikur bëhen bashkë në ndjeshmëritë e dy personazheve kundruall njëri-tjetrit. Dhe mua m’u duk se përftesat emocionale që më erdhën nga loja e Shpëtim Selmanit qenë kësaj here shumë më pranë të vërtetës, të besueshmes dhe humanes. Unë i ndjeva brengat e këtij çifti të dashuruarish, ndjeva qenien e tyre të rrezikuar, ndjeva dhunën fizike, përpëlitjen e psikikës së traumatizuar nga poshtërimi, nga vetë norma morale tradicionale e nderit të shkelur të femrës; ndjeva tronditjet emocionale të një ndërgjegjeje të thyer e të frustruar (jo për faj të tyre), e cila nga premisë lumturie është kthyer pa vullnetin e tyre në premisë sherri, në një realitet tashmë armiqësor, kërcënues dhe të refuzuar.

Të dy aktorët na i dhanë rolet e tyre në një palitër ngjyrash të ndryshueshme, si dy vetje që nuk vuajnë më shumë karrierën e tyre të shkatërruar prej aktorësh sesa vetë jetën, qenien, mirëkuptimin dhe martesën e tyre të kërcënuar. Retrospektivat që autori ka ndërtuar në tekst, me ndonjë përjashtim të vogël e kishin ruajtur koherencën dhe logjikën e veprimit duke i bërë, pra, të dukshme kohërat: nga e kaluara e lumtur tek e sotmja e dëshpëruar. Po e njëjta teknikë ishte ruajtur edhe kur në rastin e dallimit të fragmenteve dramatike të luajtura dikur prej aktorëve në teatër me përjetimet dhe paralelet që ata hiqnin në çastet e fundit, tashmë si dy qytetarë kosovarë të kërcënuar nga rrethanat e luftës. Kësodore realizohej tërthorazi edhe rikthimi i reminishencave (si gjetje letrare) në situata shpirtërore me natyrë abstraguese, e cila e shndërronte dramën individuale të Venit dhe Vinit në dramën e vetë qenies njerëzore si të tillë, në dramën e artistit si mishërues dhe interpretues i një personi “tjetër” tashmë jashtë tij, gjer edhe në dramën e shestimit të disa situatave bulbore psikosociale siç qenë: pakuptimësia, frika, kërcënimi i qenies prej dikah a dikush, kotësia, idiotësia, absurditeti, makthi i një jete të kërcënuar dhe i një shpirti pannjerëzor që përpëlitet diku në humbëtirat e tuneleve pa dritë e rrugëdalje (gjithëpo aq në kërkimin e ankthshëm të dritës dhe daljes).

Haqif Mulliq, “Trenat”, Teatri Kombëtar i Kosovës. Regjia: Zanë Duraku. Luajnë:

Shpëtim Selmani dhe Rabie Kryeziu. Instrumentist: Xhemail Gllavica. Skenografia: Mentor Berisha

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe Ermali ka reaguar lidhur me arrestimet e krerëve të…