
Edhe ambasadori britanik thotë se Kuvendi nuk është konstituuar: Të bëhet në përputhje me Kushtetutën
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, konsideron se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, teksa ka theksuar nevojën urgjente që të ndërmerren hapat e ardhshëm në këtë drejtim, shkruan Reporteri.net.
Deklarata e Hargreaves vjen pas takimit që zhvilloi me Presidenten Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme. Ai ka theksuar se konstituimi duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
“Ishte një kënaqësi të takohesha me Presidenten Osmani sot. Diskutuam për partneritetin e ngushtë dhe theksuam nevojën urgjente për hapat e ardhshëm në formimin e Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Hargreaves.
Ata kanë folur edhe për zgjedhjet lokale.
“Po ashtu, u dakorduam për pritjet tona për zgjedhjet lokale, të cilat duhet të pasqyrojnë zërat dhe shpresat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe angazhimin e Kosovës për një demokraci shumë-etnike”, thuhet në postim.
Osmani ka thënë se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidenca në njoftimin për këtë takim.
Pavarësisht dështimit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka përmbyllur seancën konstituive të shtunën, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.
Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur dje në takim Bashën, ku ai ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit. Ndërkohë, Osmani e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Presidenca.