Edhe Bekim Jashari mohon se mund të jetë kandidat për President
Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë që të gjendet dhe votohet në Kuvend presidenti i ardhshëm i vendit.
Deri më tani, kandidaturën haptazi e ka bërë vetëm presidentja aktuale, Vjosa Osmani, por që duket se nuk ka mbështetje të gjerë nga deputetët.
Në opinion u përfolën edhe emra nga familja Jashari.
Ishte madje ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ai që tha sot pas takimit me homologen e tij shqiptare, Elisa Spiropali, se mes partive politike deri tani ka konsensus vetëm për një president që do të vinte nga familja Jashari.
Por, nga vetë familja Jashari kanë mohuar se kanë ambicie të tilla.
Ishte fillimisht Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, që tha për VOX Kosova se nuk ka interesim apo qëllim për t’u bërë president i Kosovës, dhe se “ua kam bërë të qartë partive politike se cilat janë arsyet pse unë nuk e bëj, sepse mbi supet e mia rëndon një barrë e madhe”.
Më vonë, ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, vëllai tjetër i Adem Jasharit, i tha Radios Evropa e Lirë se ai mban qëndrimin e djalit të xhaxhait, duke shtuar “nuk kam çka t’i shtoj kësaj, asnjë pikë apo presje”.
Konjufca nuk kishte dashur të flasë kur ishte pyetur nëse kishte vullnet nga familja Jashari për këtë çështje.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.



