Edhe Gjermania mirëpret marrëveshjen Kosovë-BE për Ligjin për të Huajt

16 mars 2026 | 20:47

Pas Mbretërisë së Bashkuar, edhe Gjermania ka mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të Huajt.

Michael Reiffenstuel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, e ka cilësuar këtë si momentum të ri, e që ka thënë se duhet shfrytëzuar në dialog për të zbatuar plotësisht marëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, shkruan Reporteri.net.

“Vlerësojmë përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së, Sørensen, dhe falënderojmë të gjithë ata që u angazhuan në mënyrë konstruktive për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve publike në 🇽🇰. Ne mirëpresim dhe mbështesim plotësisht përpjekjet për të shfrytëzuar momentumin e ri në Dialog për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Brukselit/Ohridit”, ka shkruar Reiffenstuel, teksa ka shpërndarë postimin e Kryediplomates së BE’së, Kaja Kallas.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se me këtë marrëveshje u ofrua zgjidhje praktike.

“Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, shkroi Hargreaves.

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Ligji për të huajt dhe ai për Automjete, nisën së zbatuari pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi nisi zbatimi i plotë i tyre.

Përmes tyre, kërkohet që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Me marrëveshjen e fundit, kjo nuk do të vlejë tani për tani për serbët e Kosovës pa dokumente Kosovare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të…