Edhe kjo ndodh në Kosovë/ Trajneri i Dritës U15 jep dorëheqje pas presionit nga prindërit për shiritin e kapitenit
Trajneri i skuadrës U15 të FC Drita, Alban Nevzati ka njoftuar largimin nga klubi, duke deklaruar se arsyeja kryesore janë presionet nga prindërit dhe ndërhyrjet për ta detyruar të zgjedhë kapitenin e ekipit kundër bindjeve të tij profesionale.
Në një postim publik emocional dhe të drejtpërdrejtë, trajneri, Alban Nevzati, bën të ditur se vendimi për largim nuk ka qenë i lehtë, pasi pas vetes lë gjashtë vite punë, sakrifice dhe suksese të mëdha me ekipet e moshave në FC Drita. Ai thekson se nuk ka pranuar asnjëherë të cenojë parimet e tij profesionale dhe drejtësinë brenda ekipit, pavarësisht presioneve “nga lart, nga prindërit dhe nga koordinatori i shkollës, Beqir Rukovci”.
Sipas tij, ndërhyrjet kishin për qëllim që një futbollist i caktuar të emërohej kapiten i U14 dhe U15 për sezonin e ardhshëm, vendim që trajneri e konsideron ekskluzivisht kompetencë të trajnerit dhe që duhet të bazohet në meritë, disiplinë dhe karakter.
“Vendimet e mia kanë qenë gjithmonë profesionale. Për mua, kapiteni i ekipit duhet ta fitojë këtë përgjegjësi me punë dhe sjellje shembullore, brenda dhe jashtë fushës”, shkruan ai, duke shtuar se refuzimi për të pranuar këto ndërhyrje ka qenë arsyeja kryesore e largimit.
Gjatë periudhës së tij në FC Drita, trajneri numëron suksese të shumta: pesë herë kampion në LRFGJ, një herë nënkampion dhe një herë kampion i Play-Off-it Nacional të Kosovës – arritje që, sipas tij, janë dëshmi e punës së ndershme dhe e vlerave që ka mbrojtur pa kompromis.
“Po largohem me kokën lart, me ndërgjegje të pastër dhe pa pendesë”, përfundon ai, duke theksuar se integriteti dhe karakteri i tij janë mbi çdo post apo pozitë.
Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi ndërhyrjet e prindërve dhe menaxhimin në futbollin e moshave, duke hapur një debat të gjerë për profesionalizmin dhe mbrojtjen e meritës në zhvillimin e futbollistëve të rinj në Kosovë.
#DueliSportiv



