Edhe në CZ të Beogradit, drejtor e kishim përgjegjësin e krimeve të Dubravës, Aca Rakoçeviq

18 qershor 16:05

Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Para dyerve të burgut në CZ (Centralni Zatvor) të Beogradit.

Nga stresi e shqetësimet e dy netëve të mëparshme që kishim kaluar në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku kishim qëndruar në kulm të punëtorive të fabrikave të atij burgu, tërë natën nën kërcënime të dhunshme dhe djegies së ndërtesës sonë të burgut e që kishim përjetuar tortur si të burgosur nga gardianët dhe mbikëqyrësit e burgut. Megjithatë shihnin përpara dhe shpresonim që bile atë torturë dhe djegie të burgut nuk do ta përjetonim edhe këtu në Beograd.

Para derës frenimi i autobusit sikur na kthjelli nga ato kujtime të trishta. Hapja  e derës se autobusit dhe kërkesa që të dalim jashtë dhe të marrim teshat me vete, ku ne s’kishim asgjë me vete, sepse na ishin djegur të gjitha atje, pamë që ata fare nuk kanë njohuri se çka ka ndodh me neve. Dalja në rresht dhe hyrja në atë ndërtesë të burgut ma përvëluan mendjen, kujtimet me dolën tashmë para syve dhe të dëgjuarat e rrëfimet nga shokët nëpër burgje për këtë burg. Për vuajtjet e tyre mundimet dhe dhunën e përdorur nga gardianët e mjekët e burgut si hakmarrje ndaj shqiptareve të burgosur. Me dolën përpara vuajtjet e shumë e shumë shokëve, tortura dhe mbytje me dhunë si e Zija Shemsiut nga Gjilani, pjesëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës i cili ishte shokë i Kadri Zekes.

Kjo vrasje patë bërë jehonë në organizatën tonë në atë kohe dhe na dhanë alarmin që të organizohemi edhe më shumë dhe të bëhemi edhe më të fortë në luftën tonë për Liri.

Renditja në rresht në korridor dhe kalimi e parakalimi i mbikëqyrësve me grada  në uniformat e tyre tregonte një shenjë të ashpër dhe përgatitje për dhunë ndaj nesh. Sa shkonin e vinin herë një e herë tjetër mbikëqyrës e gardianë sikur donin me na ngrënë të gjallë. Tashmë ishim mësuar me shujtat e tyre mikpritëse dhe pritnim momentin kur do na jepnin dajak. Në pritje kujtesa më sillej me të mësuarat e këtij burgu. Këtu kishin kaluar plot shqiptar nga vitet e hershme të ilegales shqiptare.

Kishin qenë objekt i trajtimit eksperimental, i qëndresës e dhunës nga sigurimi i shtetit, i njohur si UDB-ja. Ky burg ishte në kryeqytet të Serbisë. Në këtë burg, trajtimet ishin special për shqiptare. Në gjithë këtë situatë që po kalonim, bërtiti mbikëqyrësi dhe na urdhëroi që të vazhdojmë me ecje para me kokën ulur dhe të ngjitemi shkalleve përpjetë. Me mua ishte dhe Xhevati, (Xhevat Podvorica). Atë e mbaja afër që kur të na rrahin mos ta rrahin atë, ishte i ri fëmijë në moshë. Me këto mundësi u kujdesesha për veti dhe për Xhevatin. Nuk dinim ku po na qonin. Sapo më ishte mbyllë plaga në shpinë. Dhe pritja kur do na jepnin dajak në cilin vend edhe pse ndonjëri sillte shkallëve me aq sa mundte, kë e kishte më afër. Kështu nën këtë kërcenim e dhunë u ngjitën në katin e katërt të këtij objekti. Aty u hapen dyert e korridoreve. Muret dukeshin të zeza e të tymosura.

Sigurisht ishin të djegura nga kryengritja e të burgosurve serb edhe këtu. Ecnim nëpër korridor, ndërsa dhomat i kishin dritaret në korridor dhe drita thuaja nga jashtë nuk bie asnjëherë në dhomë. U ndezën dritat dhe na futën nëpër dhoma me shpejtësi sikur të ishin ne kope delesh duke na grahur e sjellë me shkopinj. Na ndanë nëpër dhoma në dy anët e  korridorit. Më rastisi të jam në dhomën 22, në katin e katërt. Në dhomë ishin  22 të burgosur. Po ashtu në dhomë me mua ishte edhe i burgosuri i ri, Xhevati. Kjo ishte mirë, sepse kisha mundësi të jam prapë afër tij sikur në Srem, për çdo gjë të paktën t’i epja kurajë, mos ta leja me u frikuar dhe për këtë arsye unë e mbaja afër. Në dhomë kishte ËC brenda dhe ujë. Kjo për ne ishte shumë e mirë të paktën me pi ujë nga kroni dhe me mbajt higjienën si dhe me u pastruar. Në dhomë kishte shtretër  por batanije nuk kishte. Ashtu me dyshek e pa dyshek u shtrim në shtretër kush ku mundej.

Dikur na sjellën edhe nga një batanije. Na fikën dritat dhe na dhanë shenjë me ra me fjete. Por pasi kishim ndërruar vend dhe edhe pse ishim të dërmuar gjumi nuk na zinte, edhe ashtu kështu dëgjoheshin hapat në korridor të gardianëve dhe ishim duke pritu kur po hapet dera e po hynë në dhome me na rrahur. Në këtë gjendje na ka zënë gjumi nga  lodhja. Dikush fliste jerm, dikush kërriste, nga lodhja dhe nga hataja që kishim përjetuar në Srem. Shumica absolute e të burgosurve ishim politikë dhe të tjerët që i kishin zënë gjatë luftës. Më një fjalë ishim pengje të gjithë. Në dhomë me mua ishin Xhevati, Hamdiu, Ismeti, Hasani tre çuna tjerë etj. Në mëngjes ra zilja me mu zgjuar. U ndezën dritat. Jashtë në korridor dëgjohej një zhurmë, një karrocë lëvizte dhe një kërcitje e garuzhdës në kazan kur mbushej e dëgjohej.

Pas pak u hap ‘Shpijunka’ te dera jonë. Shpijunka ishte një dritare për ushqim, që mos me hapë derën. Dhe gardiani me një britmë të madhe bërtiti se sa vetë jeni në dhomë. I thamë që jemi 22 të burgosur. Na mbushi me ‘kutllaqë’ ashtu i thoshin, tasat me qaj dhe na dhanë nga një pjesë bukë dhe një pjesë margarinë, me nga një lugë mermelatë. Ishte e shijshme, pasi nuk kishim ngrënë që dy ditë asgjë, dhe pothuajse asgjë nëpër tasat tonë nuk lamë.

Pasi hëngrëm bukë, pas pak u hap dera. Aty hyri një gardian me një fletore në dorë. Pyeti sa vetë jemi. Emrat kush jemi në dhomë etj. Ai na i mori emrat, d.m.th. na regjistroi të gjithëve. Ishte gardian me fytyrë të njohshme. Ishte gardian nga burgu i Dubraves i rrethit të Istogut. Ishte gardian që kishte marr pjesë në vrasjen tonë. Ishte gardian që na ngjallte frikë e tmerr.

Por ne u paraqitëm kishe nuk po e njohim. Nuk shkoj gjatë dhe u hap përsëri dera. Në derë u paraqit një civil, ishte drejtori i burgut të Dubravës, Aca Rakoqeviç. Ky ishte një tmerr i dhjetëfishit, me dridhej trupi, më kapluan mornica nga ky njeri që ishte përgjegjës për vrasjen e mbi 120 shqiptarëve në këtë burg dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve, me gjithë ato skena vrastare në atë burg, na u shfaq në dhomë, para syve tanë. Pa fije turpi e as ndërgjegje në shpirt, për ato që kishte bërë atje, tha unë jam drejtori i burgut të Dubravës dhe jam përgjegjës për ju këtu. Do te kujdesem për ju dhe më pas u mbyll dera e shkuan.

E shikuam njëri tjetrin ne të burgosurit në dhomë. I shikova  të gjithë në dhomë e pash Xhevatin në sy, mu dukë edhe më i ri sesa ishte, e shikova Ismetin dhe Hamdiun të dy nën vetull sikur thanë duke me shikuar nëse e ka dhënë zoti kësmet, do ja dalim edhe kësaj sfide.

U ulëm në shtretër dikush bashkë e dikush veç e veç. Askush nuk fliste. Heshtnin të gjithë. Me Ismetin e Hamdiun bisedonim, për gjendjen ku jemi dhe  si duhet ta përballojmë. Sepse edhe këtu tash e tutje do të përballemi me kasapin e burgut të Dubravës, dhe që këta (gardianët) do ta presin momentin e duhur që të na shqyejnë, sepse këtu e dinim që nuk do të na vrasin.

Kaloj kjo dite duke pritur, te papriturat e saj. (Vazhdon…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanye West po jeton një histori të re dashurie me…