Edhe në këtë përvjetor, Fetnete, falna që nuk të njohëm
Shkruan: Izmi Zeka
Unë nuk të njoha ty, Fetnete. Të dëgjova nga shumë anë të Kosovës. Lexova e lexova, dhe portretin tënd e gjeja te gratë shqiptare që kanë bërë histori te ato që nuk u dorëzuan kurrë, në asnjë luftë.
Dëgjova për ty nga bashkëluftëtarët, nga historia që po shkruhet, nga rrëfimet e kohës së luftës me bedena. Unë nuk të njoha, Fetnete. Nuk isha krah teje as kur vdekja përballej me vdekjen, as kur ju këndonit këngë për lirinë.
Nuk isha pranë teje as kur ti shkruaje për lirinë, për amanetin e dëshmorëve, për nënat që sot qajnë me lot, e as kur i dole ballë historisë së shtrembër. Unë dje nuk të njoha se ishe ti ajo vajza që sillte pranverën në kohën e bishave dhe hienave të zeza.
Sa lot kam sot, që ti ike në paqe, në një kohë kur ne kishim nevojë ta shihnim artin e luftës të shkruar nga ju.
Edhe atëherë kur u bëre titan dhe nuk njohe rrugën e dyshimit, ne nuk të njohëm. Edhe Gjergji pse jo edhe vëllezërit Frashëri, e rilindasit, do ta kishin lakmi për jetën, shpirtin dhe letrat që ti le pas.
Fetnete, ti nuk na njohe neve, as kur ne filozofë e çka jo shëtisnim rrugëve të Prishtinës, aty ku bëhej paqja në mes të luftës.
Na fal, Fetnete, edhe në këtë përvjetor tëndin, neve që heronjtë i shohim vetëm si data. Ti i preke me dorë dhe na pe neve, të gjallëve, se çka mund të bëjmë.
Le të jetë edhe kështu. Një ditë do të vijë kur ne do të kemi nevojë për ju për fjalët, amanetin dhe këngët që i kënduat.
Ju nuk morët asgjë me vete. As gradat, as lavdinë asgjë.
Tani jemi në një kohë tjetër. Besoj se ti e njeh mirë këtë histori. Ke lexuar për Hasanin, Isën, Shotën, për Ismail Qemalin, për Norën e Kelmendit. Ke lexuar Lahutën e Malësisë dhe ke dëgjuar për Pashko Vasën me poemën “O moj Shqipni”.
Eh, Fetnete shumë kaluam nëpër histori dhe pak mësuam.
Më fal, Fetnete, se po iki tani, ashtu si të tjerët, në një rrugë pa kthim. Pak kanë mbetur si ju ashtu ishin edhe dje.
Ndoshta paqja dhe liria po e vrasin njëra tjetrën.



