Edhe nëse ka valë të dytë, nuk do ta mbyllim më vendin tonë

22 maj 2020 | 11:42

Në ShBA shumica politike, por edhe publiku amerikan, po dalin kundër masave kufizuese që shtetet po aplikojnë për mbrojtje nga koronavirusi. Presidenti Donald Trump thotë se ai nuk do ta izolojë sërish vendin po sikur pandemia të rishfaqet në vjeshtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që në vjeshtë vendi do të goditet nga një valë e dytë pandemie e koronavirusit.

Por presidenti amerikan Donald Trump thotë se nëse kjo ndodh, ai nuk do ta izolojë sërish vendin dhe ekonominë siç ndodhi dy muaj më parë.

Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhën në kohën kur 2.4 milionë amerikanë u shtuan të enjten në listën e të papunëve si pasojë e kyçjes së bizneseve dhe jetës publike.

Presidenti e krahasoi pandeminë me një vatër zjarri që brenda nëntë javëve ka lënë pa punë 38 milionë veta e ka vrarë mbi 94 mijë të tjerë.

Numri i të infektuarve nga Kovidi ka kaluar 1.5 milion.

“Njerëzit thonë se mundësia ekziston. Ky është standard, por ne do t’i shuajmë flakët. Nuk e dimë a do të jetë si prush apo flakë, por nuk do ta mbyllim më vendin tonë”, u shpreh Trump.

Ekspertët vendës kanë paralajmëruar se virusi Korona mund të vazhdojë të përhapet edhe në muajt e vjeshtës dhe dimrit por, sipas tyre, atëherë do të ishte më i vështirë për t’u luftuar pasi do të përplasej edhe me virozat e tjera stinore.

Të 50 shtetet amerikane kanë nisur t’i rihapin ekonomitë e tyre, shpeshherë duke e kthyer këtë në një çështje politike.

Shtetet me bindje republikane deri tani janë treguar më të prira për t’i hequr masat kufizuese sesa ato të udhëhequra nga opozitarët demokratë.

Zyrtarët e shëndetit publik shohin me shqetësim se, siç shprehet edhe presidenti Trump, politika por edhe shumica e publikut amerikan është kundër masave izoluese totale në rast të një pandemie tjetër. /Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka shqiptuar…