Edhe një ish-ushtar i UÇK-së ftohet nga Gjykata Speciale

11 dhjetor 2018 | 20:34

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express vetë Shala, i cili ka thënë se ka marrë thirrje dhe urdhër që të paraqitet në Hagë më 17 janar të vitit 2019.

Shalës, ish-komandant i njësisë speciale të Shtabit të Përgjitshëm të UÇK-së, nuk i janë dhënë detaje se në çfarë cilësie pritet të intervistohet.

Shala, nga Suhareka, ka thënë se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale – duke rrezikuar kështu që të gjobitet apo edhe të dënohet me burgim, siç e paralajmëron thirrja.

“Unë, Komandant “Molla e Kuqe”, i togut të njësisë speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”, ka thënë ai.

“Ata qe ma sollën këtë ftesë u deklaruan se janë policë të EULEX’it, ndërsa unë iu kundërpërgjigja se nuk e njoh këtë gjykatë, se unë jam shqiptar, dhe jam krenar për luftën që kam bërë”, është shprehur ai.

“Andaj, u bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë”, ka thënë Shala.

Pos Shalës, deri më tani nga Specialja për intervistë janë ftuar edhe Rrustem Mustafa – i njohur si Remi, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti dhe Sami Lushtaku./gazetaexpress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri…