Edhe një përpjekje e fundit për konstituimin e Kuvendit, pa sinjale për zgjidhje

26 korrik 2025 | 14:13

Pa sinjale se mund të jetë arritur një zgjidhje, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po mblidhen sot për herë të fundit në kuadër të seancave të shumta konstituive, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – në votat e të cilit ka llogaritur më së shumti Lëvizja Vetëvendosje – tha se nuk pret ndonjë ndryshim sot, duke sinjalizuar se për të 53-tën herë do të dështojë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Para nisjes së seancës, edhe Lumir Abdixhiku dhe Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Time Kadriaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se nuk presin konstituim të Kuvendit.

“Jemi munduar që ta themi në vazhdimësi se pa marrëveshje politike nuk ka as konstituim të Kuvendit”, tha Zemaj.

Nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as sot, në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht, raporton Rel.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.

“Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit”, thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Në reagim tutje thuhet se hapi i radhës duhet të jetë kthimi në votimin e hapur dhe se edhe një dështim tjetër “do të thellonte krizën aktuale dhe do të prodhonte pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin”.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar…