Edhe Podujeva nën hetim për manipulimin e votave
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të Drejtave të Votimit.
Gjatë këtij procesi, sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.



