Edhe pse fitoi votat, Adritik Lapaj jashtë parlamentit shqiptar – mandati i shkon Ana Dajkos

25 gusht 2025 | 21:36

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar përfundimisht pretendimet e Adriatik Lapajt dhe ka lënë në fuqi vendimin e KAS, duke i dhënë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” kandidates së parë në listën e mbyllur, Ana Dajko.

Vendimi i hap rrugë Dajkos që të bëjë betimin në seancën e parë të Kuvendit, e cila pritet të mbahet në javën e dytë të shtatorit.

Lapaj kishte kërkuar që mandati t’i kalonte atij, duke u mbështetur në marrëveshjen e brendshme mes dy forcave që përbëjnë koalicionin, “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”, ku kandidatët kishin firmosur paraprakisht dorëheqjet për t’i hapur rrugë renditjes sipas votave të marra. Në këtë logjikë, mandati do t’i takonte Lapajt, si kandidati më i votuar.

Por situata u ndërlikua kur në lojë hyri edhe Zeqir Kordhoni, daja i drejtuesit të “Nisma Thurje”, Endri Shabani. Ai pretendoi se, sipas një deklarate të mëparshme të Lapajt, ky i fundit ishte zotuar se do të hiqte dorë nga mandati nëse koalicioni siguronte vetëm një vend në Kuvend.

Për të mos lejuar që mandati të kalonte në kampin e Shabanit, Lapaj aktivizoi emrin e kushërirës Kleana Xhuvelit, të renditurën e katërt në listë, duke tentuar që ajo të bëhej deputete. Fillimisht, KQZ i dha mandatin Xhuvelit, por pas ankimimit të “Shqipëria Bëhet” në KAS, vendimi ndryshoi dhe mandati i kaloi Ana Dajkos.

Tashmë, me vendimin përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor, kjo betejë e brendshme në koalicion është mbyllur, duke e vulosur Ana Dajkon si deputeten e re të Kuvendit nga “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident ndodhi të diel në Liqenin Rosporden të Francës,…