
Edhe Veselit e Selimit iu refuzua kërkesa për lirim të përkohshëm
Pas Jakup Krasniqit, edhe Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit iu refuzua kërkesa për lirim të përkohshëm, duke iu vazhduar paraburgimi edhe për nga dy muaj. Ndërsa, Hashim Thaçi nuk ka parashtruar një kërkesë të tillë.
Ngjashëm sikur për Krasniqin, edhe për Veselin e Selimin thuhet se ka mungesë të informacioneve për të konstatuar se ata mund të arratisen nga drejtësia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, për të dy thuhet se ekziston rreziku që të pengojnë procedurat dhe të kryejnë vepra penale ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi ose do të dëshmojnë në këtë çështje.
Mbrojtja e Veselit kishte parashtruar se çdo rrezik i mbetur i identifikuar nga trupi gjykues, mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes lirimit të përkohshëm me kushte të zbatuara nga Policia e Kosovës.
Mbrojtja gjithashtu rikujtoi se gjyqtari i procedurës paraprake i kishte hedhur poshtë kushtet e propozuara nga ata për lirimin e përkohshëm, duke konstatuar se informacioni që ka ofruar Policia e Kosovës nuk ishte e mjaftueshme për të eliminuar mundësinë që Veseli të përcillte mesazhe për anëtarët e familjes së tij ose të përdorte mesazhe të koduara gjatë bisedave.
Por, tani mbrojtja ka argumentuar se bazuar në informacionet e dhëna nga Policia e Kosovës për kapacitetin e saj për të zbatuar çdo kusht të lirimit me kusht, i rrëzojnë bazat e ngritura nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Mbrojtja e Veselit gjithashtu paraqet se z. Veseli është i gatshëm të dorëzojë pasaportën e tij dhe të respektojë çdo masë që Trupi Gjykues e sheh si të nevojshme (“Kushtet e Propozuara”). Sipas Mbrojtjes, garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës, së bashku me masat specifike të propozuara për lirimin me kushte të z. Veseli, duhet të merren në konsideratë bashkë me përvojën e saj në zbatimin e lirimeve të përkohshme të mëhershme të urdhëruara nga DhSK-ja. Mbrojtja gjithashtu fton Trupin Gjykues që të kërkojë drejtpërdrejt çdo informacion shtesë që e konsideron të munguar nga Policia e Kosovës”, thuhet në vendim.
Trupi gjykues i ka marrë parasysh informacionet e dhëna nga Policia e Kosovës lidhur me kapacitetet e saj për mbikëqyrjen e kësaj çështjeje, e po ashtu edhe raportimet e Komisioni Evropian që tregojnë se kapacitetet operacionale të Policisë së Kosovës janë përmirësuar.
Por, ky trup gjykues thotë se s’është bindur se masat e propozuara nga Policia e Kosovës mund t’i zbusin rreziqet përkatëse që dalin nga lirimi i përkohshëm.
“Po ashtu, Trupi Gjykues konsideron se garancitë e dhëna nga Policia e Kosovës nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet që lidhen me rrjedhjen e mundshme të informacionit konfidencial lidhur me dëshmitarët gjatë vizitave te z. Veseli. Në veçanti, Trupi Gjykues është i vetëdijshëm se [REDAKTUAR]. Si i tillë, Trupi Gjykues konsideron se, në rast se z. Veseli dhe vizitorët e tij do të përdornin mesazhe të koduara, [REDAKTUAR]. Trupi Gjykues është gjithashtu i mendimit se çështja e mesazheve të koduara do të vazhdonte edhe në [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Siç është konstatuar më parë nga Trupi Gjykues i Gjykatës së Apelit, edhe duke marrë në konsideratë se një zyrtar i Policisë së Kosovës mund [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Por, trupi gjykues ka vendosur që vazhdimi i paraburgimit për Veselin është i nevojshëm.
Ngjashëm edhe mbrojtja e Selimit i ishte referuar garancive të ofruara nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, ata kishin argumentuar se përfundimi i çështjes së Prokurorisë i zbut tej mase gjasat që i akuzuari të ndërmarrë veprime penguese ndaj procesit.
ZPS-ja ishte përgjigjur se asnjë prej kushteve të propozuara nuk është i mjaftueshëm për të zbutur rreziqet e lirimit të përkohshëm. Kurse, mbrojtja kishte thënë se Prokuroria nuk jep asnjë argument mbi arsye se pse kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme për lirimin e përkohshëm të Selimit.
Si rrjedhojë, ngjashëm sikur për dy të akuzuarit tjerë, edhe për Selimin u mor vendimi që atij t’i vazhdohet paraburgimi.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.