
Edi Martini merr drejtimin e Vllaznisë
Klubi i Futbollit Vllaznia ka zyrtarizuar Edi Martinin si trajnerin e ri të skuadrës për sezonin 2025-26. Pas 15 vitesh, djali shkodran rikthehet në stolin e Vllaznisë, ekip që e kishte drejtuar në vitin 2010 kur ishte vetëm 35 vjeç dhe ende nuk e kishte fituar përvojën e trajnerit.
Klubi kuqeblu nuk ka humbur kohë dhe pasi largoi trajnerin Thomas Brdariq dhe drejtorin Tefik Osmani, ka zyrtarizuar lëvizjen e parë. Edi Martini pritet të fillojë punën me grupin pasi Vllaznia po përgatit verën e nxehtë në Evropë, duke dashur të kalojë në turet e Ligës së Konferencës.
“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur akordin me një nga emrat e njohur të futbollit shkodran, pikërisht z.Edi Martini, për të qenë ai trajneri i ri i skuadrës për sezonin 2025-2026. Mirë se u riktheve në shtëpi”, ka njoftuar Vllaznia. 50-vjeçari i është i njohur për pesë aventurat në stolin e Teutës, ku në drejtimin e tij durrsakët fituan Superligën (2020-21), Kupën e Shqipërisë (2019-20) dhe Superkupën (2020-21). Veç Teutës, Martini ka qenë edhe trajner i Luftëtarit në sezonin 2012-13, ndërsa prej shkurtit të këtij viti drejtonte Trepçën në Kosovë.